Tjetër acarim greko-turk/ Mitsotakis: S’ka dialog me Ankaranë, nëse nuk njeh historinë

04/06/2022 11:35

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis duke folur në konferencën e organizatës të së Rinjve të Demokracisë së Re, i ka dërguar midis të tjerash një mesazh të ri Turqisë duke theksuar se nuk mund të ketë dialog me Ankaranë, kur ajo insiston në shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe mosrespektimin e historisë.

Mundet që fqinjët t’ia vënë fajin historisë dhe të Drejtës Ndërkombëtare , por çdo retorikë dhe hap i tyre sulmues shndërrohet në një hap të ri të tërheqjes së tyre drejt vetmisë dhe izolimit ndërkombëtar. Por ne jetojmë në realitet dhe dëshirojmë që bashkë me emrin e tyre të ndryshojnë dhe logjikën e tyre. Por nuk hapim dialog me atë që nuk njeh historinë, me të paligjshmin dhe me të palogjikshmin“, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Disa orë më pas, ambasadori grek në Ankara, Christodoulos Lazaris është thirrur në Ministrinë e Jashtme të vendit fqinj ku i është bërë me dije fakti që disa prej organizatave që Turqia i quan terroriste (si PKK, FETO dhe DHKP-C), kryejnë lehtësisht aktivitete propagandistike, financimi dhe rekrutimi në Greqi dhe se Greqia konsiderohet gjithnjë e më shumë një strehë e sigurt për “qarqet e lidhura me terrorizmin”.

Burime diplomatike greke kanë hedhur poshtë në tërësi akuzat e palës turke duke i cilësuar të pabaza dhe të pavërteta, ndërsa kanë theksuar se Greqia zbaton plotësisht vendimet e BE në luftën kundër terrorizmit.

Edhe zëdhënësi i qeverisë Giannis Oikonomou ka theksuar mëngjesin e së shtunës se akuzat janë krejtësisht inekzistente, se Greqia nuk ka asnjë lidhje me të gjitha këto dhe se qëndrimi i Turqisë që është në një ngërç të thellë, së fundmi “pasqyron zhgënjimin dhe shqetësimin e Erdoganit për rritjen dhe njohjen e rolit gjeostrategjik të Greqisë .

Sa u përket pretendimeve turke për ishujt grekë të Egjeut dhe sovranitetin e tyre, zyrtari i lartë grek deklaroi se “nuk kontestohen nga askush”, dhe se “Greqia i përballon të gjitha sfidat me vendosmëri dhe maturi”.

Acarimi i ri mes dy fqinjëve vjen vetëm disa ditë pas deklaratave të Presidentit Erdogan se Turqia do t’i ndalë bisedimet me Greqinë, për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin grek për të cilin tha gjithashtu se “nuk ekziston më” , duke e akuzuar se loboi për të bllokuar shitjen e avionëve luftarakë amerikanë F-16 gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA