Arkeologë shqiptarë dhe francezë kanë rinisur gërmimet arkeologjike për të hedhur dritë mbi zhvillimet urbane të qytetit antik të Durrësit.
Pas ndërprerjes 2-vjeçare për shkak të pandemisë, ekspedita shqiptaro-franceze është rikthyer në Forumin Bizantin për të gjetur nëntokë dëshmitë më të hershme të zhvillimit të qytetit. Bashkëdrejtuesi shqiptar i kësaj ekspedite, arkeologu Eduard Shehi, tregon se gërmimet synojnë të zbresin në zemrën e origjinës së qytetit për të kuptuar evolucionin kronologjik që nga antikiteti deri në ndërtimin e Forumit Bizantin që daton rreth shekujve V-VI të erës sonë dhe është i ndërtuar në qendrën tradicionale të Dyrrahut të lashtë.
”Synojmë të kuptojmë çfarë ka ndodhur para ndërtimit të tij. Përse u ndërtua Forumi këtu? Çfarë përdorimi ka pasur territori para ndërtimit të tij dhe si është kaluar nga një strukturë në tjetrën? Kalimi nga një hapësirë publike në private për të kuptuar tërësinë e përdorimit të qendrës së qytetit për të krijuar një ide të përgjithshme mbi Durrësin antik”, thotë arkeologu Eduard Shehi.
Me nisjen e ekspeditës mbi “topografinë e Epidamn-Dyrrachion”-it kanë dalë në dritë dhe zbulimet e para.
‘‘Gjurmët që kemi zbuluar janë çfarë ka mbetur nga gërmimet e fundit të viteve ’80. Bëhet fjalë për mbetje të fundme të 2-3 varreve që janë thuajse të dëmtuara në tërësinë e tyre”, shpjegon Shehi.
Është ende herët për të përcaktuar periudhën, po mendohet se eshtrat e gjetura i përkasin banorëve të antikitetit të vonë, ose mesjetës së hershme. Mbështetur në ekspeditat e kaluara, nga kjo ekspeditë priten detaje të zhvillimit planimetrik të godinave të periudhës romake që janë zbuluar më parë këtu, duke datuar fazat ndërtimore, po dhe ato të shkatërrimeve që ka pësuar qyteti i lashtë. Ekspedita njëmujore sapo ka nisur dhe arkeologët shqiptarë dhe ata francezë të Universitetit të Lionit nuk e dinë ende se çfarë do t’u ofrojë ky terren në lidhje me civilizimin antik buzë Adriatikut.
Top Channel