Nafta shkon në 1.71 euro në Kosovë/ Vaji shitet 2.9 euro, rriten çmimet e ushqimeve

04/06/2022 12:20

Sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë ndikuan në rritjen e çmimit të naftës.

Kjo ngritje u vu re edhe në Kosovë, ku në pikat e shitjes me pakicë nafta të premten u shit për 1 euro e 71 cent.

Sipas ekspertëve kjo ndodhi për shkak që një fuçi naftë shkoi në mbi 120 dollarë. Përkundër rritjes aktuale të çmimit të naftës, njohësit presin akoma më shumë rritje në rast se BE-ja ndalon naftën ruse me tubacione.

Ekspertët thonë që rritja e çmimit të naftës do të ndikojë edhe më shumë në rritjen e inflacionit. çmimet për produktet ushqimore, lëndët e para, energjia dhe të gjitha produktet dhe shërbimet që varen nga transporti do të vazhdojnë të rriten e me këtë edhe presionet për ndërmarrjet dhe ekonomitë familjare.

Kjo tashmë është reflektuar në disa produkte të shportës në Kosovë. çmimi i vajit ka shkuar në dy euro e 90 cent për një litër. Edhe çmimi i sheqerit është rritur, ku tashmë pesë kilogram sheqer kushtojnë katër euro e  84 centë, ose dhjetë centë më shumë se disa ditë më parë. Përpos tjerash edhe çmimi i vezëve është rritur për 23 centë, e ka arritur në 3 euro e tre cent.

Top Channel