Egnatia nuk humb kohë dhe gjen menjëherë trajnerin e ri. Pas ndërprerjes së bashkëpunimit me Zekerija Ramadanin, klubi nga Rrogozhina ka vendosur t’ia besojë pankinën ish mesfushorit durrsak, Edlir Tetova.
Ky i fundit vjen pas një eksperience te klubi i Ulpianës në Superligën e Kosovës, me të cilin nuk ia doli të sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit atje, pasi skuadra u rendit në vendin e parafundit dhe zbriti në kategorinë e parë.
Eksperienca me Ulpianën është e vetmja si trajner i parë për Tetovën, që më herët ka qenë pjesë e stafit të Orges Shehit, në të tre përvojat e tij si trajner, fillimisht te Skënderbeu, më pas te Kukësi dhe te Tirana në fundin e sezonit 2020-2021.
Marrëveshja mes palëve është arritur dhe mungon vetëm zyrtarizimi, teksa tashmë Tetova ka nisur bashkëpunimin me Ndriçim Shtubinën në rolin e drejtorit sportiv, për të planifikuar merkaton e klubit rrogozhinas.
Top Channel