SPAK mbylli hetimet dhe dorëzoi të pandehur në Gjykatën Antikorrupsion gjyqtarin e Vettingut, Ardian Hajdari që do të gjykohet për fshehje të të ardhurave në katër raste dhe përshkrim të rremë të pasurisë në deklaratën e dorëzuar prej tij pranë ILDKPI gjatë korrikut 2017.

I pezulluar nga detyra prej katër muajsh, Ardian Hajdari gëzonte cilësitë e një gjyqtari kushtetues dhe llogaritë ndaj tij u hapën pas denoncimit të tre të shkarkuarve nga Vettingu Antoneta Sevdari, Ervin Metalla dhe Elsion Sadiku

I pyetur nga SPAK gjatë hetimeve mësohet se gjyqtari i kolegjit të posaçëm të apelit që është shkalla e fundit e Vettingut në Shqipëri ka deklaruar se llogaritë bankare e kanë burimin nga kursimet ndër vite gjatë punës si gjyqtar në Shkodër dhe konkretisht nga 1995 deri në vitin 2000.

Por SPAK shikon problematike të ardhurat gjatë kohës kur anëtari i Vettingut ishte i angazhuar si avokat dhe ku rezulton se për 15 vite në këtë karrierë ai ka lëshuar vetëm 11 fatura. Por ndërkohë për vitet 2016 ndonëse ka përfaqësuar shtetas të shumtë në gjykatë ai nuk ka respektuar ligjet tatimore.

Për ta vërtetuar këtë SPAK ka pyetur klientë të Hajdarit që kanë rrëfyer si dëshmitare mbi mbrojtjen që ai ka kryer dhe pagesën që ata kanë bërë.

Ardian Hajdari sipas burimeve të SPAK i thotë prokurorisë se të ardhurat gjatë kohës kur ishte avokat për vitet 2000-2001 ai nuk vendosi tarifa si avokat, por sa herë që qytetarët fitonin proceset i jepnin dhurata vlera monetare, si ta vlerësonin ata.

“Shpesh herë duke qenë se këta persona që përfaqësoja ishin nga fshati, më sillnin ushqime si dhuratë”, deklaron gjyqtari i Vettingut në SPAK.

Prokurorja e çështjes, Enkelejda Millonai i radhit gjykatës veprimet që kreu duke kujtuar dhe dëshminë e një shtetasi që pranon se nuk i kishte dhënë para avokatit për punën, por e kishte shpërblyer duke e qerasur.

Në përfundim SPAK thotë se Hajdari nuk ka harruar për të deklaruar të ardhurat për vitet 2016 dhe 2017 por se e ka kryer qëllimisht për të shmangur detyrimet.

Me herët dhe një anëtar tjetër i Vettingut, Luan Daci u shpall fajtor nga gjykata e posaçme duke u larguar në këtë mënyrë nga detyra.

Top Channel