Pas tetë viteve në Old Trafford, Juan Mata është ndarë me Manchester United. Fantazisti spanjoll ka lënë një gjurmë të madhe në historinë e Djajve të Kuq teksa ka koleksionuar me ta plot 285 ndeshje duke shënuar 51 gola ndërsa i është gëzuar edhe katër trofeve; 2 FA Cup, 1 Community Shield dhe 1 Europa League.
34-vjeçari në sezonet e fundit nuk ka qenë një nga titullarët e zakonshëm të United, megjithatë spanjolli kishte gjetur forma të ndryshme për të kontribuar në klubin me të cilin kishte krijuar një lidhje të jashtëzakonshme. Në vitin 2018, Mata krijoi fondacionin “Common Goal” ku 1% e rrogës së tij shkonte në ndihmë të fëmijëve në nevojë.
Ndërkaq, një vit më pas, Mata nisi të angazhohej për të ndihmuar stafin e Manchester United teksa lante këpucët dhe fanellat pas ndeshjeve të skuadrës. Ndërkaq, një tjetër gjest dashurie i Matës për tifozët e Manchester United u regjistrua në muajin e kaluar teksa pavarësisht një shiu të dendur në Old Trafford, ai qëndroi për një kohë të gjatë duke nënshkruar autografe dhe duke bërë foto me fansat e tij më besnikë./ SuperSport
Top Channel