Lufta 100 ditëshe/ Zelensky: 20% e Ukrainës është pushtuar, 12 milionë njerëz janë zhvendosur

02/06/2022 20:35

Pas më shumë se 100 ditë luftë, 20 përqind e territorit ukrainas, është tashmë në duart e rusëve. Presidenti Vladymyr Zelensky thotë se kjo është shumë më e madhe se sipërfaqja e të gjitha vendeve të Beneluksit së bashku.

“Rreth 300,000 km² janë të mbushura me mina dhe pajisje të pashpërthyera. Pothuajse 12 miliona ukrainas janë zhvendosur brenda vendit. Më shumë se 5 milionë, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë shkuar jashtë vendit”.

Ndërsa në pjesën tjetër të vendit, gjurmët e luftimeve të ashpra do të duan shumë kohë të zhduken. Me mijëra shtëpi janë shkatërruar, dhe miliona njerëz janë larguar nga vendi, por ka dhe nga ata që po rikthehen

“Shtëpia ime është kjo këtu ku po qëndrojmë, dhe një bombë shpërtheu pak më tej, isha me fat që në atë moment ndodhesha në oborr, ndryshe nuk do të isha gjallë, dhe pas asaj bombe gjithçka u shkatërrua. Por tani jam rikthyer sepse qyteti ka nevojë sërish të ketë jetë, duhet të ringrihemi”.

Tani e vetmja pjesë e Ukrainës që po përjeton bombardime të pandalshme është lindja. Kreu i rajonit të Luhansk thotë se forcat ruse po përpiqen të thyejnë mbrojtjen e tyre në çdo drejtim të mundshëm. Luftimet janë përqëndruar kryesisht në qytetin e Severedonetskm, ku 800 civilë thuhet se janë strehuar në një fabrikë të goditur pak ditë më parë, dhe [pjesa me e madhe e e të cilit është në duart e [pushtuesve. Marrja totale e këtij qyteti do të thotë praktikisht marrja e të gjithë Luhanskut.

Në ndërkohë që luftimet vijojnë SHBA dhe Perëndimi po mundohen të dërgojnë sa më shumë armë në Ukrainë, jo më larg se dje presidenti Joe Biden njoftoi një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën në vlerë 700 milionë dollarë. Ndihma amerikane përfshin raketat HIMARS, helikopterë, antitank “Javelin”, radarë, automjete taktike, pjesë këmbimi dhe pajisje të tjera.

Edhe kancelari Olaf Scholz premtoi dërgimin e një sistemi modern të mbrojtjes ajrore për të luftuar kundër agresorëve ruse. Listës iu shtua edhe Danimarka, e cila premtoi 100mln euro ndihmë humanitare dhe ushtarake , dhe po ashtu edh Britania e Madhe, Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace tha se ata do të dërgojnë raketa-hedhës M270, të cilët mund të dërgojnë raketa të drejtuara me saktësi deri në 80 kilometra.

Top Channel