Kosova në betimin e Vuçiç, deputetja gjermane: BE të ngrijë bisedimet me Serbinë!

02/06/2022 12:33

Përfshirja e Kosovës në betimin e Aleksandër Vuçiç si president i Serbisë ka ngjallur reagime të forta në Gjermani. Deputetja e Partisë Liberale Gjermane Renata Alt kërkoi ngrirjen e menjëhershme të bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Alt, njeherazi kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare në Bundestag, tha për DW se kjo tregon që Vuçiçi nuk i kushton ndonjë rëndësi normalizimit afatgjatë të marrëdhënieve me fqinjin e tij.

“Tonet e mprehta nga Beogradi e rëndojnë situatën gjithësesi të tensionuar mes dy vendeve. Fakti që Vuçiçi po rrit njëkohësisht bashkëpunimin me Kremlinin dhe po nuk pranon t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë është diametralisht i kundërt me politikën e jashtme të BE-së.

Prandaj negociatat e pranimit të Serbisë në BE duhet të ngrihen menjëherë”, ishte komenti i saj. Ky është mandati i dytë presidencial i Vuçicit, aq sa më së shumti lejohet sipas ligjeve në Serbi.

Teksti i betimit, që ai bëri, është i përcaktuar me Kushtetutën e Serbisë të vitit 2006 e thotë: “Betohem se të gjitha fuqitë e mia do t’i përkushtojë për ruajtjen e sovranitetit dhe tërësisë së territorit të Republikës së Serbisë, duke përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë integrale të saj, si dhe për realizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave, respektimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjen e paqes dhe prosperitetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Serbisë dhe se do t’i kryej me ndërgjegje dhe përgjegjësi të gjitha detyrat e mia”.

Top Channel