Lejet e ndërtimit u shtuan! Në krye Tirana, Durrësi dhe Fieri. 323 milionë euro investim

31/05/2022 12:18

Lejet për ndërtimet e reja nuk ndalin vrullin. Sipas të dhënave të Instat, vetëm në tremujorin e parë të vitit bashkitë e vendit kanë miratuar 397 leje ndërtimi, 146 leje më shumë se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

Rreth 39 miliardë lekë apo 323 milionë euro llogaritet vlera e përafërt e këtyre lejeve të miratuara nga pushteti vendor si për ndërtesa ashtu edhe për punime inxhinierike infrastrukturore për periudhën janar-mars, në rritje me gati 47% kundrejt të njëjtit tremujor tw 2021.

Edhe sipërfaqja e lejeve të dhëna është zgjeruar ndjeshëm këtë periudhë me më shumë se 1 milionë m2 për këto 397 leje ndërtesash, ku rreth 800 mijë metër katrorë  përkasin ndërtesave që janë në proces ndërtimi dhe do të ndërtohen në kryeqytet.

Pjesa më e madhe e tyre rezultojnë leje të miratuara për ndërtesa banimi, kryesisht për objekte me një ose dy kate, ndërsa rreth 105 të tilla janë firmosur për ndërtesa jo rezidente, kryesisht hotele e struktura të ngjashme akomoduese, ndërtesa tregtare, godina industriale apo edhe për zyra.

Tirana kryeson edhe listën me më shumë leje për ndërtesa të reja me 112 të tilla, ndjekur nga qarku i Durrësit me 84 leje dhe Fieri me 48 leje të miratuara, tre qarqet që kanë marrë hov të madh zhvillimi dhe mbajnë edhe peshën më të madhe të ekonomisë së vendit.

Prej vitit 2010 e deri në fund të marsit të këtij viti janë miratuar mbi 10 700 leje për ndërtesat e reja. Vrulli i ndërtimeve u frenua  përgjatë viteve 2014-2015 me vendosjen e moratoriumit për ndërtimet, për t’iu rikthyer sërish rritjes në vitet në vijim për të shënuar nivele rekord në vitin 2021 me mbi 1 300 leje dhe një vlerë të përafërt prej 820 milionë euro.

Më shumë leje për godina të reja do të thotë më shumë para për buxhetet e bashkive që po bëhen gjithnjë e më të varura prej të ardhurave që grumbullojnë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, pagesa që kompanitë e ndërtimit duhet të kryejnë pasi marrin miratimin e lejes për ndërtim të objekteve.

 

Top Channel