Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e parakohshme të ish-presidentit Bujar Nishani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi në Facebook se presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit.

“Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe”, ka shkruar ajo.

Ndërsa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se Bujar Nishani do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.

“Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar. Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij. Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”, ka shkruar ai.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shkruar se Nishani ishte një ndër burrështetasit e mëdhenj të Shqipërisë.

“Me dhembje mora lajmin e trishtë për vdekjen e ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Punëtor i palodhshëm, njeri i edukuar, bashkëpunëtor besnik e patriot. Kështu do ta kujtojmë përherë figurën dhe personalitetin e shquar të Bujar Nishanit, që tërë veprimtarinë e tij politike ia kushtoi shtetit të Shqipërisë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshqiptare. Në emrin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, shpreh ngushëllimet më të ndjera për familjen Nishani, për miqtë e bashkëpunëtorët e tij. Nderimet më të larta për jetën dhe veprën e Presidentit Bujar Nishani”, ka shkruar ai.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ngushëlloi familjen dhe popullin shqiptar me rastin e ndarjes nga jeta të Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.

“Më pikëlloi lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Ikja e tij në amshim është lajm i hidhur për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë. Presidenti Nishani ka lënë pas vete një trashëgimi të madhe, siç ishte i madh edhe angazhimi i tij për çështjen kombëtare. Përkushtimi i tij për paqe, zhvillim e demokraci, e bën Presidentin Nishani njeri të veçantë, personalitet të rrallë, të balancuar me ide e qëndrime si dhe të paharrueshëm në historinë e popullit shqiptar. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u shpreh ngushëllime familjes Nishani dhe mbarë popullit shqiptar. I përjetshëm kujtimi për Presidentin Nishani”, ka shkruar ai.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar se bashkëndjejnë me familjen dhe të afërmit për këtë humbje të madhe.

“Do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri. U prehtë në paqe”, ka shkruar ai.

Ish-Presidenti  Bujar Nishani ndërroi jetë në moshën 56- vjeçare. Prej më shumë se një muaji ,ish-Presidenti u transferua nga spitali “Shefqet Ndroqi” në një spital në Gjermani për një trajtim më të specializuar, por sipas mjekëve atje ra në gjendje kome.

Mjekët i këshilluan familjarëve të merrnin një vendim për shkak të shpresave të humbura për t’u zgjuar.

Nishani u shtrua  në ish Sanatoriumin e Tiranës në datën 20 prill për shkak të komplikacioneve të një pneumonie të mbivendosur mbi fibrozat post covid në mushkëri. Në 23 prill u zhvendos në Gjermani.

Nishani vuante nga një sëmundje autoimune në mushkëri dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi i Covid 19 i la në organizëm.

Top Channel