Ikën “Presidenti i mirë”/ Presidenti i shtatë i Republikës! Shqipëria në zi

28/05/2022 19:36

Bujar Nishani ishte ushtaraku, i cili hoqi dorë nga spaletat për karrierën politike, karrierë e cila e çoi në postin më të lartë të shtetit.

Ndryshimi i regjimit në vitin  1990 e gjeti ish-Presidentin  në profesionin e pedagogut në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, profesion i cili nuk e pengoi që në vitin 1991  të merrte  kartën e anëtarësisë së Partisë Demokratike.

Ky mund të quhet edhe kthesa e madhe në jetën e ish-Presidentin, të cilit koha i kërkoi  14  vite për ta parë veten në politiken aktive.

 Në vitin 2005 ai u zgjodh deputet për herë të pare në qarkun e Tiranës, duke mundur ministrin e Brendshëm ne detyre socialistin Igli Toska, por ashtu siç ndryshoi pushteti, ndryshoi edhe jeta e Bujar Nishanit. Pas dy viteve si ligjvënës, ai i zuri vendin një tjetër Ministri të Brendshëm, kësaj radhe të Partisë Demokratike, Sokol Olldashit i cili u largua për të konkuruar për Bashkinë e  Tiranës.

Ciklet e ish-Presidentit në ekzekutiv ishin dy vjeçare, ku në vitin 2009 deri në 2011 mbajti postin e Ministrit të Drejtësisë dhe nga viti 2011 deri në qershor të vitit 2012 sërish atë të Ministrit të Brendshëm, duke zëvendësuar Lulzim Bashën i cili u largua në Bashkinë e kryeqytetit. Ngjarjet  treguan se Bujar Nishani, ishte një njeri i rëndësishëm, jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe personalisht për Sali Berishën.

Më 11 qershor të vitit 2012 familja e tij politike i dha atij spaletat e qytetarit të parë të Shqipërisë dhe gradën e komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura duke e zgjedhur President  të Republikës.

Zgjedhja e tij u duk në fillim si një vendim i çasteve të fundit, ndërsa vite më vonë u zbulua se ai ishte projektuar në këtë post muaj para se sa të votohej.

Pesë vitet e Bujar Nishanit në Presidencë patën uljet ngritjet e tij. Mandati nisi qetë vitin e parë kur në pushtet ishte forca e tij politike që e kishte zgjedhur pa konsensusin e opzitës, ndërsa 4 vitet e ardhshme edhe pse me qetësinë që e karakterizoi gjithë jetën e tij, pati përplasje me mazhorancën socialiste, nëse do t’i krahasonim me ato të pasardhësit të tij, do të duken si biseda gentelmanësh.

Në  24 korrik të vitit 2017 Bujar Nishani  i dorëzoi detyrën Ilir Metës duke u larguar nga  nga posti i kreut të shtetit  për të  rinisur rrugëtimin e tij politik.

Fillimisht si kryetar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike  dhe  pas përjashtimit nga Lulzim Basha u rreshtua krah  Sali Berishës. Por, rrugëtimi i tij politik ishte i pangjashëm me atë të  Bamir Topit, e aq me pak të Ilir Metës. Ai mbeti një besnik i partisë nga e cila erdhi, por nuk bëri kurrë kompromis me Kushtetutën.

Në vitin 2017 do mbahet mend kur megjithëse ishte kundër dekretimit të Fatmir Xhafës si Ministër i Brendshëm, ai deklaroi se nuk mund të shkelte librin e shenjtë të shtetit.

Bujar Nishani  ishte i pari që iu kundërvu Lulzim Bashës dhe kërkoi largimin e tij pas zgjedhjeve të 25 prillit. Por vetë Basha sot, e quajti politikan të përkushtuar.

“Trishtues lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të tij. Sot Partia Demokratike ka humbur një politikan të përkushtuar, kontributin e të cilit për të dhe Shqipërinë do ta kujtojë përherë me respekt. U prehtë në paqe!”, tha Basha.

Largimi i parakohshëm nga jeta i Bujar Nishanit hidhëroi jo vetëm njerëzit pranë tij, por edhe kundërshtarët politik brenda dhe jashtë Partisë Demokratike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA