Zgjidhja e çështjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë për Athinën do të marrë rrugë vetëm pasi nga presidenca të largohet Ilir Meta.
Këtë e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias në një intervistë për mediet greke, pak pasi u kthye nga Tirana.
“Kemi rënë dakord të shkojmë në Hagë për çështjen e detit për të vendosur dhe zbatuar të drejtën ndërkombëtare. Por kjo nuk është bërë ende pasi presidenti aktual nuk i jep autorizimin e nevojshëm kryeministrit dhe Presidenti tjetër do të zgjidhet gjatë dy tre muajve të ardhshëm, pra të gjitha këto do të zbatohen”.
Në një intervistë për radion greke SKY, Dendias u pyet edhe për deklaratën e ministres së jashtme Olta Xhaçka përmendi çështjen e të drejtave të njeriut të komunitetit Çam. Ja çfarë deklaronte ajo në takimin me Dendias.
“Vendet tona mike mund të fillojnë diskutimet edhe për çështje të tjera, sado të vështira që kemi trashëguar nga historia e nga periudha tragjike e Luftës së Dytë Botërore, siç është nevoja për të abroguar Ligjin e Luftës, apo çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam”.
“Besoj se përsa i përket atij dialogu konkret, përgjigjen e thashë atë moment që të mos kemi keqkuptime. Besoj se marrëdhëniet greko-shqiptare, nuk do jenë peng i çështjes në fjalë, për të cilën pala greke beson se me të drejtë nuk ekziston”.
Po nëse Shqipëria nuk deklaron se nuk do ta rihapë këtë çështje, a mund të vendosë Greqia veto për negociata?:
“Nuk dua të pozicionohem për çështje hipotetike sepse krijon precedentë ligjorë. Shqipëria gjatë qeverisjes Rama ka një zgjedhje të rëndësishme që është BE, pra rrjedhimisht bashkëpunimi me Greqinë”.
Vizita e ministrit të Jashtëm grek në Tiranë përfundoi pa ndonjë marrëveshje të nënshkruar por mësohet se në takime është diskutuar edhe çështja e pensioneve të emigrantëve shqiptarë. Ndërkohë pak javë më parë Shqipëria dhe Greqia kanë nënshkruar marrëveshje që kanë të bëjnë me energjinë dhe lidhjen energjetike mes dy vendeve.
Top Channel