Një lajm i mirë vjen nga Siria ku 4 gra dhe 9 fëmijë shqiptarë të familjeve që iu bashkuan organizatës terroriste ISIS shpëtuan nga tmerri i kampeve aty dhe do të kthehen në Shqipëri.

Operacioni ka nisur para 10 ditësh ku drejtori i antiterrorist Alban dautaj së bashku me kolegun e tij Indrit Doda morën në dorëzim shqiptarët dhe në ditët e ardhshme pritet të vijnë në Shqipëri.

Top Channel mëson se në këtë operacion ka qenë gjithashtu pjesëmarrës edhe Gert Brovina, oficer në drejtorinë e Antiterrorit shqiptar.

Top channel ka kontaktuar me delegacionin shqiptar ku mësoi se të gjithë të riatdhesuarit gëzojnë shëndet të plotë dhe për arsye sigurie nuk mund të bëhet i ditur identiteti i tyre për momentin.  Operacioni është ndërmarrë nga shërbimet amerikane në bashkëpunim me ato kurde.

Një zyrtar i lartë sirian shkroi në twitter se këtë të premte gratë dhe fëmijët e familjeve të organizatës ISIS i janë dorëzuar një delegacioni zyrtar të qeverisë shqiptare, pas nënshkrimit të dokumentit zyrtar të dorëzimit ndërmjet rajonit autonom të kurdëve në Siri dhe Republikës së Shqipërisë.

Në gusht të një viti më parë në një operacion të ngjashëm nga siria u riatdhesuan 14 fëmijë 6 prej të cilëve të lindur në Siri dhe 5 gra shqiptare.

Top Channel