‘Lordi’ famëkeq i drogave El Chapo ankohet për ‘trajtim të padrejtë’, ‘probleme shëndetësore’ në burgun në SHBA (fotot)

25/05/2022 21:44

El Chapo, ai që njihej si shefi famëkeq i kartelit meksikan të drogave Sinaloa, duket tashmë si një “njeri tjetër” pas tre vjet burgimi, pasi ka shkruar një letër prej shtatë faqesh ku ankohet se “vuan nga depresioni, keqtrajtimi dhe humbja e memories” në burgun amerikan të sigurisë së lartë ku po vuan dënimin.

Krimineli i reklamuar si ‘koka’ e pjesës më të madhe të trafikut të drogave nga Meksika drejt SHBA, emri i vërtetë i të cilit është Joaquin Archivaldo Guzman Loera – është dënuar me 30 vjet burgim pasi u shpall fajtor në vitin 2019 për 10 akuza pastrimi parash dhe trafikimi drogash.

Disa ekspertë nuk janë të bindur për vërtetësinë e rangut të tij drejtues.

Ai u ekstradua nga Meksika në SHBA në janar 2017.

Prej dënimit të tij ai është mbajtur në burgun e sigurisë së lartë në Florence, Colorado, për të cilin tashmë thotë se nuk po trajtohet “me drejtësi”.

Madje 65 vjeçari El Chapo, letrën e tij të vajtimit e kishte shkruar në gjuhën angleze.

“Prej trajtimit në burgun ADMAX, tani vuaj nga dhembje koke, humbje e memories, kontraktime muskulore, stres dhe depresion. Trajtimi im është mizor dhe i padrejtë, kjo më bën të vuaj nga probleme fizike dhe psikologjike”.

“Lutem që gjykata të ndërhyjë.”

El Chapo i referohej gjykatës ku apeloi kundër dënimit të tij në tetor të vitit të shkuar, kërkesë që u refuzua në janar të këtij viti.

Edhe më herët ai ishte ankuar se jetonte në “24-orë torture” gjatë qëndrimit në burgun e New York.

Ish-shefi i madh i drogave thotë se qelia ku jeton tani është vetëm 3 metër katrorë e gjerë, me një dritare nga ku i kalohen vaktet e ushqimit.

El Chapo zemërthyer shkruante: “Nuk kam kontakt verbal apo komunikim me të burgosurit e tjerë. Nuk kam asnjë kontakt njerëzor, përveç me rojet që më vënë e më heqin prangat e duarve e këmbëve”.

“Që kur kam ardhur në SHBA nuk më kanë lejuar të flas me gruan time”.

Bashkëshortja e tij Emma Coronel, është edhe ajo në burg pasi është denuar së fundmi  me tre vjet për rolin e saj në ‘perandorinë’ e supozuar të drogave të të shoqit.

El Chapo pretendon mes te tjerash se ajri që i vjen në qeli është “shumë i nxehtë” dhe kjo ndodh për 15 minuta disa herë gjatë natës çka i prish gjumin.

Ai shkruante: “Çdo natë kjo bën që zemra të nisë të më rrahë shpejt duke më ngritur tensionin e gjakut. E kam ngritur këtë çështje me stafin por nuk ka ndodhur asgjë”.

“Edhe pse nuk kam asnjë tjetër në qeli dhe jam aty 24 orë në ditë, rojet e burgut hyjnë disa herë në janë për kontroll dhe prekin e ngacmojnë të gjitha objektet e mia”.

FOTO GALERI
2/5
Disa ekspertë nuk janë të bindur për vërtetësinë e rangut të tij drejtues ne kartel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA