Von der Leyen akuza Rusisë: Po përdor furnizimet ushqimore si mjet lufte!

24/05/2022 16:33

Rusia po përdor furnizimet ushqimore si mjet lufte, e pasojat e kësaj po ndihen në të gjithë botën, ashtu sic ndodhi dhe me sektorin e energjisë deklaroi shefja e Komisionit Europian, Ursula vin der Leyen ne forumin ekonomik boterore te Davosit.

Komentet e saj erdhën në kohën kur çmimet e drithërave, vajrave ushqimore dhe produkteve të tjera po rriten gjatë pushtimit rus të Ukrainës, e cila konsiderohet një prej prodhueseve më të mëdha në botë të grurit.

“Sot në Davos flasim për luftën, sepse shpirti i Davosit është antiteza e saj. Në Ukrainën e pushtuar nga Rusia, ushtria e Kremlinit po konfiskon stoqe me drithëra dhe makineri… dhe luftanijet ruse në Detin e Zi po bllokojnë anijet ukrainase të mbushura me grurë dhe fara luledielli. Rusia tani po grumbullon eksportet e veta të ushqimit si formë e shantazhit – duke bllokuar furnizimet me qëllim që të rrisë çmimet botërore, apo duke ofruar grurë në këmbim të mbështetjes politike…. Kjo do të thotë të përdorësh urinë dhe drithërat për të fituar pushtet”.- tha Von der Leyen.

Von der Leyen u shpreh se disa prej ketyre ngjarjeve i kanë kujtuar “kohërat e të kaluarës së errët të konfiskimit të të korrave nga sovjetikët dhe urinë shkatërruese të viteve ‘30”, një reference kjo për krizën e tmerrshme të urisë që vrau miliona ukrainas.

Moska pretendon se çmimet e ushqimëve  janë rritur për shkak të vendosjes së sanksioneve që Perëndimi i ka vendosur Rusisë në përgjigje të luftës në Ukrainë. Qeveria gjermane e ka akuzuar Rusinë se po bllokon një dërgesë prej 20 milionë tonë drithëra nga Ukraina, ndërsa presidenti polak, Andrzej Duda, thotë se mungesa e furnizimeve mund të nxisë një valë të re të migrantëve nga Afrika e Veriut për në Europë.

Top Channel