Diplomati i lartë rus që la punën në shenjë proteste ndaj luftës “të përgjakshme dhe të palogjikshme – të filluar nga Vladimir Putin kundër Ukrainës”, i tha BBC se e di mirë që vendimi i tij për të folur hapur mund të nënkuptojë se tani Kremlini e konsideron tradhtar.
Boris Bondarev, i cili thuhet se ka punuar në misionin rus në OKB në Gjenevë, shtoi megjithatë se i qëndron deklaratës së tij, e cila e përshkroi luftën si “një krim kundër popullit ukrainas” dhe “popullit të Rusisë”.
Moska ende nuk ka komentuar ndaj lëvizjes së tij, ndonëse ajo i ka goditur ata që janë kritikë ose largohen nga narrativa zyrtare e luftës, së cilës i referohet vetëm si “një operacion special ushtarak”.
Në letrën e postuar në mediat sociale dhe të ndarë me kolegët diplomatë, Bondarev shpjegoi se kishte zgjedhur t’i jepte fund karrierës së tij 20-vjeçare në shërbim, sepse nuk mund të “ndahej më në këtë poshtërim të përgjakshëm, të pamend dhe absolutisht të panevojshëm”.
“Ata që e konceptuan këtë luftë duan vetëm një gjë – të qëndrojnë në pushtet përgjithmonë”, ka shkruar ai, ndërsa u shpreh edhe se “kurrë nuk ishte ndjerë kaq i turpëruar për vendin e tij”. “Për të arritur qëllimin e tyre, ata janë të gatshëm të sakrifikojnë aq jetë sa duhet”, vazhdoi ai. “Mijëra rusë dhe ukrainas kanë vdekur tashmë vetëm për këtë”.
Letra nuk kursen as ish-punëdhënësin e tij, duke akuzuar Ministrinë e Jashtme të Rusisë se është më e interesuar për “gënjeshtra dhe urrejtje” sesa për diplomaci.
Top Channel