Pfizer: Tre doza të vaksinës kundër Covid 19 të efektshme për fëmijët nën 5 vjeç

23/05/2022 22:56

Tre doza të vaksinës Pfizer kundër Covid 19 ofrojnë mbrojtje të fortë për fëmijët e moshës nën 5 vjeç, njoftoi kompania Pfizer të hënën.

Firma planifikon t’u japë të dhënat rregullatorëve amerikanë më vonë këtë javë, hapi i parë drejt miratimit të vaksinës për fëmijët nën moshën 5 vjeç.

Lajmi vjen pas muajsh pritjeje në ankth nga prindërit që duan të vaksinojnë fëmijët e tyre nën 5 vjeç, veçanërisht tani kur ka një rritje të rasteve me Covid 19. 18 milionë fëmijë nën 5 vjeç janë i vetmi grup në Shtetet e Bashkuara që nuk nuk kualifikohet të marrë vaksinën kundër Covid 19.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA)ka filluar vlerësimin e të dhënave nga kompania rivale Moderna, e cila shpreson të fillojë të ofrojë këtë verë një vaksinë me dy doza për fëmijët.

Pfizer ka pasur një kohë më të vështirë në këtë drejtim. Ajo u përpoq t’u jepte fëmijëve të vegjël një dozë më të ulët, sa një të dhjetën e dozës për të rriturit, por gjatë provës klinike u zbulua se dy doza nuk ofronin mbrojtje të mjaftueshme për fëmijët nën 5 vjeç. Prandaj, studiuesit i dhanë një dozë të tretë më shumë se 1600 fëmijëve të moshës 6 muaj deri 4 vjeç, gjatë dimrit kur pati një rritje të rasteve me variantin “Omicron” të koronavirusit.

Në një njoftim për shtyp, Pfizer dhe partneri i saj BioNTech thanë se doza shtesë ofroi mbrojtje më të fortë, duke rritur nivelet e antitrupave kundër virusit tek të fëmijët e moshës nën 5 vjeç, mjaftueshëm për të përmbushur kriteret e Administratës së Ushqimit dhe Barnave për përdorimin emergjent të vaksinës pa probleme sigurie.

 

 

Top Channel