Udhëheqësi i ri i Australisë Anthony Albanese është zotuar se do ta çojë vendin në një drejtim të ri, me një ndryshim të madh në politikën klimatike.
Albanese, i cili fitoi zgjedhjet e së shtunës me Partinë Laburiste të qendrës së majtë, tha se Australia mund të bëhet një superfuqi e energjisë së rinovueshme.
“Është një moment i rëndësishëm në jetën time, por dua që të jetë dhe një moment i madh për vendin. Unë dua të ndryshoj vendin, dua të ndryshoj mënyrën se si funksionon politika në këtë vend, veçanërisht në lidhje me ndryshimet klimatike dhe angazhimin tonë në botë për këtë çështje”, tha Albanese.
Ai do të bëjë betimin si kryeministër të hënën, por nuk është e qartë nëse partia e tij do të ketë shumicën në parlament. Ndryshimet klimatike ishin një shqetësim kryesor për votuesit, pas tre vjetësh ngjarjesh rekord të zjarreve dhe përmbytjeve.
Kryeministri në largim Scott Morrison, udhëheqësi i një koalicioni të rrëzuar Liberal-Nacional, pranoi disfatën, ndërsa pësoi humbje të thella në Australinë Perëndimore dhe në përgjithësi në zonat e pasura urbane.
Numërimi i votave është ende duke vazhduar dhe është e paqartë nëse laburistët mund të marrin 76 vende për të siguruar një shumicë në dhomën e ulët të parlamentit prej 151 anëtarësh.
Të Gjelbrit dhe një grup “të pavarurish”, që bënë fushatë për politika të integritetit, barazinë gjinore dhe trajtimin e ndryshimeve klimatike, fituan mbështetje falë pakënaqësive të votuesve për mosveprimin ndaj ndryshimeve klimatike pas disa prej përmbytjeve dhe zjarreve më të këqija që godasin Australinë.
Parlamenti i ri duket se do të jetë shumë më pak skeptik ndaj klimës sesa ai që mbështeti administratën e zotit Morrison që ishte pro minierave të qymyrit.
Top Channel