Diplomatët në Bruksel me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë, si në NATO ashtu edhe në Bashkimin Evropian, janë të mendimit se anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në përgjithësi do të kontribuojë në rritjen e sigurisë në kontinentin evropian, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këto dy shtete për vite të tëra janë aktive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, qoftë në kuadër të BE-së, por po ashtu si partnere të NATO-s, duke marrë pjesë në mënyrë aktive në misionet e NATO-s në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Ndonëse tani numri i ushtarëve të Finlandës në KFOR është zvogëluar në 20, për më shumë se 20 vjet ushtarët nga ky shtet kanë dhënë një kontribut të konsiderueshëm në këtë mision, madje kanë pasur numër më të madh të ushtarëve sesa disa shtete anëtare të NATO-s.

Kontribut të konsiderueshëm në KFOR ka dhënë edhe Suedia, e cila tani ka një numër simbolik të ushtarëve në këtë mision të aleancës në Kosovë. Ndërmjet viteve 1999 dhe 2013, më shumë se 1,000 ushtarë nga Suedia kanë marrë pjesë në misionin e NATO-s në Kosovë.

“Marrë parasysh kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë ta japin Finlanda dhe Suedia në misionet dhe operacionet e NATO-s, me anëtarësimin e tyre në aleancë nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Por, për këto vende, ndryshimi i madh do të jetë se do të marrin pjesë edhe në marrjen e vendimeve si anëtare me të drejta të plota të aleancës”, tha Lirë një diplomat perëndimor në Bruksel.

Ballkani Perëndimor, në veçanti Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova, kanë qenë hapësira ku më së miri është demonstruar në terren bashkëpunimi midis BE-së dhe NATO-s, ku këto institucione kanë ndarë detyrat.

NATO-ja në Kosovë vazhdon të jetë garantuesja kryesore e sigurisë në aspektin ushtarak, ndërkaq BE-ja ka më shumë detyra në aspektin politik, ekonomik, si dhe në aspektet civile të sigurisë, përmes Misionit të Sundimit të Ligjit, EULEX.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA