Avokati me inicialet A.B, që njihet si avokati i bandave kriminale është gjithashtu pjesë e listës së emrave që po kërkohen nga SPAK.
Gazetarja Anila Hoxha bën me dije për “Top Channel” se ky avokat ka paguar Elio Bitrin dhe Nuredin Dumanin për të rrahur ish-gruan e tij dhe për t’i djegur makinën.
Nga përgjimet e mëparshme u konstatua se ai kërkoi nga grupet kriminale që të hidhnin në erë makinën e ish-bashkëshortes, me të cilën është në proces divorci.
“Tre prokurorë janë të përfshirë në këto hetime, kanë përgjuar ka edhe oficerë të përfshirë, gjithashtu doli i përfshirë edhe një avokat, i cili mbronte grupet kriminale, rezulton se është i njohur, ka porositur që të digjet makina e bashkëshortes, pasi kishte konflikte të mprehta, ishte në proces divorci me të”, tha Hoxha.
Prokuroria e Posaçme, SPAK ndërmori aksion në disa qytete të vendit, pas 32 urdhër-arresteve të lëshuara nga GJKKO.
Aksioni është zhvilluar në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Elbasan. Sipas informacioneve, 13 urdhër-arreste janë vetëm në Elbasan, një prej qyteteve më të nxehta të krimit në vend.
Janë në kërkim personazhe të njohur të botës së krimit si Ervis Martinaj në Lezhë, Suel Çela dhe Kamber Mehja në Elbasan, apo Fatos Gosa në Peqin. Disa prej personave në listën e SPAK tashmë janë në burg.
Sipas informacioneve, një oficer policie, bashkëpunëtor i dyshuar me struktura të krimit është vënë në pranga.
Top Channel