Opozita ka mundësi të dërgojë në parlament kandidaturat për Presidentin e ri të Republikës, në raundin e dytë dhe të tretë.

Kryetari i Lëvizjes Republikane, Fatmir Mediu, në një intervistë për emisionin “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja përmendi disa emra nga fusha e politikës që mund të jenë kandidatët që do të propozohen në kuvend.

Ka njerëz brenda opozitës që kanë pasur integritet dhe kanë punuar, shprehet Mediu, duke përmendur këtu Halim Kosovën, Majlinda Bregun, Dashamir Shehun.

Më tej, shton kryetari i Lëvizjes Republikane, “ka dhe figura të tjera që janë jashtë jetës politike. Nuk duhet të përjashtojmë njerëzit nga politika, pastaj ka dhe të tjerë që kanë një zë të fuqishëm në medie dhe në opinionin publik, ndonjëherë dhe më të fuqishëm se sa vetë zëri që ka opozita. Procesi kryhet kur të gjithë përfshihen”.

Partia Demokratike është më e përçarë se kurrë, me njërin grupi që mbështet Enkelejd Alibeajn dhe grupimin tjetër që mbështet Sali Berisha. Por, në këtë moment të rëndësishëm për zgjedhjet e kreut të shtetit, opozita duhet të bashkohet dhe të dalë me një kandidat të vetëm, thekson Mediu.

Nuk është në të mirën e opozitës që të ketë tre grupe negociatorë. Racionalja do të kërkonte një kandidat të vetëm të opozitës. ne duhet të jemi patjetër të bashkuar si opozitë. Duhet të krijojmë një marrëdhënie të plotë, konsensuale, për ti kërkuar më pas palës tjetër konsensus.

Duhet të mos ecim në pozicione të shkëputura, por në pozicione të përbashkëta opozitare.

Për mua, prioriteti tani është zgjedhja e një presidenti të përbashkët duke organizuar një opozitë të përbashkët, me një qëndrim të përbashkët, që më pas mund të shërbejë për një opozitë të përbashkët në marrëdhëniet politike për zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet parlamentare”.

Shqipëria ka nevojë për njerëz me autoritet moral që kur flasin krijojnë vëmendje te opinioni publik, qoftë dhe një mesazh, shton Mediu.

Në takimin e sotëm, shumica socialiste ia la opozitës mundësinë e propozimit të emrave për Presidentin. Procesi i zgjedhjes së presidentit të ri kthehet tashmë në një sfidë të shumëfishtë për Enkelejd Alibeajn i cili duhet të këshillohet me grupin e tij parlamentar i ndarë në tre pjesë.

Sinjalet e para për pranimin e kërkesave të opozitës e dhanë dy nga tre përfaqësuesit e trojkës negociatore socialiste, Damian Gjiknuri dhe Elisa Spiropali. Pas 90 minuta diskutime, kryetari grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dhe homologu Enkelejd Alibeaj vulosën dakordësinë.

I vetmi i pakënaqur nga kjo tryezë doli Fatmir Mediu i cili kërkon një emër të unifikuar kandidati  brenda opozitës që do të thotë se edhe Sali Berisha duhet të pyetet paçka se socialistët e kanë përjashtuar nga ky proces. Mediu kur e pa se po arrihej konsensus mes Alibejn e socialistëve e pa të tepërt veten në tryezë e u largua bashkë me Agron Dukën.

Top Channel