Përgjatë tre dekadave tranzicion pyjet e Shqipërisë kanë shkuar drejt rrudhjes drastike.

Pishat shekullore, bredhat e rrallë dhe mijëra hektarë pyje natyrorë u prenë, u dogjën dhe u shfrytëzuan pa asnjë kriter, duke regjistruar një ndër masakrat më të mëdha pyjore.
Në Qafën e Malit në zonën e Pukës, në lartësinë 1 mijë metra mbi nivelin e detit, dikur, në të dy anët e kësaj rruge të shoqëronin pishat qindra vjeçare
tashmë është kthyer në shkretëtirë.
Dëshmi e masakrës mbi këto pyje janë ende këto trungje pemësh që dergjen pyjeve dhe malet krejtësisht të zhveshura.
Me një sipërfaqe prej rreth 90 mijë ha pyje, Puka ka humbur nga prerjet e paligjshme dhe zjarret ndër vite rreth 60 mijë hektarë, pra, 2/3 e gjithë fondit.
Ndryshe nga periudha e komunizmit kur çdo sipërfaqe që shpyllëzohej, zëvendësohej, gjatë këtyre 30 viteve nuk është bërë thuajse asgjë. Gjatë diktaturës, u shpyllëzuan 200 mijë hektarë pyje për toka buke, por, ato u zëvendësuan me pyllëzimin e një sipërfaqeje tjetër prej 400 mijë hektarësh, pra dyfishin.
Pas rënies së monizmit banorë të zonës apo kompani të ndryshme iu qepën maleve duke lënë pas djerrina, që duan dekada dhe ndoshta shekuj të ripërtërihen.
“Është përtej jetës njerëzore një pyll, atë pemë që ti mbjell sot nuk arrin kurrë ta shfrytëzosh sa kohë je gjallë. Dhe ky është një koncept krejt tjetër. Njerëzit e krahasojnë shpesh pyllin me bujqësinë, por pylli nuk është bujqësi, nuk është një vjeçare nuk është pak vjeçare është në afat gjatë”, u shpreh Genti Kormidha, Instituti për ruajtjen e natyrës.
Shqipëria mund të konsiderohet i vetmi vend në botë që i ka pyjet në hartë, por nuk ka pemë.
Të dhënat e grumbulluara nga studime të ndryshme tregojnë se gjate tranzicionit nga 1990-2017 janë shfrytëzuar pa kriter, vjedhur dhe prerë në mënyrë të paligjshme mbi 339 000 ha sipërfaqe pyjore.
Kjo e vërtetë dramatike konfirmohet edhe nga inventari i fundit i pyjeve, i dyti që realizohet pas atij të vitit 2004.
Sipas këtij inventari përgjatë tre dekadave të fundit Shqipëria ka humbur rreth 40% të totalit të pyjeve. Po ashtu sipërfaqja me pyje të virgjër është pakësuar me 85% , apo nga 70 mijë ha që ishte në vitin 1997, sot kemi vetëm rreth 11 mijë ha. Në total kemi 1.3 mln ha pyje, por 80 % tyre janë pyje të rinj, pra ende nuk kanë material drusor për tu konsideruar të vlefshme si ekonomi pyjore.
“Ajo që është alarmante është çfarë kanë këto pyje. Dhe fatkeqësisht nga të dhënat e viteve 90-të kur raportohej një volum prej 80 mln m3 lëndë drusore sot kemi 50 ml m3, që do të thotë ne kemi humbur 30 mln m3 ose çdo vit kemi humbur nga 1 mln m3” u shpreh Genti Kormidha, Instituti për ruajtjen e natyrës
Kjo humbje vjetore me 1 mln m3 lëndë drusore, mund të sjellë zhdukjen totale të pyjeve në një periudhë jo shumë të largët.
Kjo do të thotë se pas 50 vitesh nuk do të kemi pyje në Shqipëri edhe pse do të kemi sipërfaqe të gjelbërta”, u shpreh Genti Kormidha, Instituti për ruajtjen e natyrës.

Top Channel