U mblodhën më shumë taksa/ Kriza e çmimeve shtoi me 294 milionë të ardhurat në arkën e qeverisë

17/05/2022 15:14

Buxheti i shtetit po përfiton gjithnjë e më shumë nga rritja e fortë e çmimeve ndërsa këto të fundit prej muajsh po godasin nga ana tjetër xhepat e qytetarëve.

Vetëm për 4-mujorin rreth 187.8 miliardë lekë të ardhura kanë hyrë në arkën e shtetit.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë të ardhurat janë rritur me mbi 35.7 miliardë lekë, apo gati 294 milionë euro.

Si tatimet ashtu edhe doganat kanë mbledhur më shumë para përgjatë kësaj periudhe. Ndikimin më të madh në ecurinë pozitive të arkëtimeve e ka dhënë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, e ashtuquajtura taksa e konsumit që mban edhe peshën kryesore prej shtrenjtimit të çmimeve në pjesën e parë të këtij viti.

Rritje të konsiderueshme në raport më 4-mujorin  e vitit të shkuar kanë shënuar edhe të ardhurat e mbledhura nga kontributet shoqërore, tatimi mbi të ardhurat personale si dhe tatimi mbi fitimin.

Në drejtim të doganave, janë grumbulluar më shumë të ardhura  nga mallrat e akcizës me mbi 123 milionë euro si dhe taksat doganore me gati 20 milionë euro, duke shënuar një rritje të lehtë kundrejt janar-prill 2021.

Të njëjtin trend kanë ndjekur edhe shpenzimet buxhetore që këtë periudhë arritën në 168.5 miliardë lekë, rreth 6 milionë euro më të larta se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja ka ardhur si në zërin e shpenzimeve kapitale para që shkojnë kryesisht për investime, ashtu edhe në shpenzimet korente për personelin, paga e pagesa kontributesh shoqërore.

Top Channel