Ndonëse vendi më i vogël në Këshill, zëri i Shqipëria ka peshë. Kështu u shpreh në një intervistë për gazetarin Sokol Balla, në Top Story, zëvendës përfaqësuesi i përhershëm i SHBA në OKB, Richard M.Mills Jr.

“Shqipëria është një prej zërave më të fortë në Këshillin e Sigurimit për vlerat e përbashkëta rreth asaj që Kombet e Bashkuara duhet të bëjnë në botë, pra çështje që vinë përpara Këshillit të Sigurimit.” tha zyrtari amerikan, ndërsa vlerësoi si mjaft efektiv rolin e vendit tonë sa i takon luftës në Ukrainë.

Zyrtari i lartë nuk la pa përmendur edhe takimin me shenjtoren Nënë Tereza në 1989-tën në kohën kur ai punonte në departamentin e vizave, duke e cilësuar atë si një njeri të jashtëzakonshëm.

Intervista e plotë për Top Story

Sokol Balla: Zoti ambasador faleminderit që jeni me ne.

Richard M.Mills Jr.: Kënaqësi të jem me ju.

Sokol Balla: Shqipëria do të marrë presidencën e Këshillit të Sigurimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë mund të na thoni më shumë rreth bashkëpunimit të dy vendeve për çështjet e politikës së jashtë natyrisht edhe për atë këtu në Kombet e Bashkuara?

Richard M.Mills Jr.: Këtu në Kombet e Bashkuara, Shqipëria është një prej zërave më të fortë në Këshillin e Sigurimit për vlerat e përbashkëta rreth asaj që Kombet e Bashkuara duhet të bëjnë në botë, pra çështje që vijnë përpara Këshillit të Sigurimit. Siç edhe ne e themi këtu në Amerikë, Shqipëria e peshon me forcë fjalën e saj siç është rasti Ukrainës për të cilën në mënyrë të posaçme Shqipëria ka qenë një zë i fortë. Ne kemi punuar nga afër me Shqipërinë me misionin e saj këtu që udhëhiqet prej një ambasadori efektiv, shumë i artikuluar, i vendosur e me plot pasion. Bashkërisht kemi punuar në hartimin e disa draft rezolutave që kanë ardhur në Këshill. Ne në fakt i kërkuam Shqipërisë nëse do të dëshironte të ishte bashkë me ne Penë-Mbajtëse, një term ky në OKB, por Shqipëria dhe ne jemi përgjegjës për çdo draft rezolutë të parë apo deklarata për shtyp që vinte nga Këshilli për Ukrainën. Shqipëria ka bërë një punë shumë efektive.

Sokol Balla: Në fakt ju sapo e dogjët pyetjen time të dytë për Ukrainën. Më lejoni t’ju bëj të njëjtën pyetje që i bëra ambasadorit Ferit Hoxha. Çfarë mund të bëj një vend i vogël si Shqipëria për të lënë gjurmë në historinë e OKB-s?

Richard M.Mills Jr.: Për një gjë. Ata mund të flasin me zë të lartë e në mënyrë efektive. Janë 110 vende në OKB me një popullsi më pak se 10 milion njerëz. Ajo çfarë po ndodh tani posaçërisht në Ukrainë është një sulm në një prej kapitujve të OKB-së, është një kërcënim për të gjithë ne e në mënyrë të posaçme të shteteve të vogla që mbështeten në ligjet ndërkombëtare dhe principet e kapitujve të OKB që i japin atyre siguri dhe Shqipëria është një zë për këto 110 vende në Këshillin e Sigurimit. Nga madhësia ju jeni vendi më i vogël në këshill tani. Por unë mendoj se zëri i Shqipërisë ka vend dhe peshë për këtë arsye. Shqipëria e ka përdorur me efektivitet të qenurit në Këshill si një platformë për të frenuar dizinformimin që vjen nga Rusia duke treguar të vërtetën.

Përshembull Shqipëria mbajti një takim special që mbahet në Këshill ku lejohen të ftuar nga jashtë për të folur. Mbajtën një takim me shumë rëndësi thirrur nga delegacioni shqiptar duke kërkuar llogaridhënie e vënie përpara përgjegjësisë e folur për krimet, ligjet ndërkombëtare, krimet kundra njerëzve sipas ligjit ndërkombëtar që jemi duke parë tani në Ukrainë. Shqipëria në këtë takim solli disa ekspertë shumë të mirë për të folur dhe si komuniteti ndërkombëtar duhet t’i adresojë këto çështje. Ishte me të vërtetë një hap me rëndësi. Edhe anëtarët e tjerë e vlerësuan Shqipërinë për këtë udhëheqje.

Sokol Balla: Përpara kësaj Shqipëria ishte e njohur nga një emër. Nënë Tereza. Kam qenë me fat gjatë jetës time si gazetar ta takoj atë. Më është thënë që edhe ju e keni takuar.

Richard M.Mills Jr.: Po, unë e kam takuar . Një prej gjërave të mira në të qenurit diplomat është se ndodheni në të njëjtin ambient me njerëz inspirues, të rëndësishëm, president, ministra të punëve të jashtme, sekretarë shteti, udhëheqës fetar, por për mua në mënyrë absolute gjatë karrierës time është pasja e mundësisë të takoja Nënë Terezën shumë herët në karrierën time. Unë isha në Paris dhe nuk do ta harroj kurrë ditën kur takova Nënë Terezën. Punoja në departamentin e vizave. Ishte në 1989-tën. Kjo ishte përpara se ne të ndryshonim politikën e vizave me shumë vende perëndimore. Një francezi i duhej vizë për në Amerikë dhe ishte një radhë e gjatë në konsullatën e Parisit dhe ne si zakonisht dilnim për drekë e kur ktheheshim gjenim përsëri radhën e gjatë të pritjes. Ndiheshim pak fajtor për këtë. Ishte korrik dhe pamë një murgeshë të vogël në radhë.

Hymë në zyrë dhe dikush pyeti. A është Nënë Tereza ajo në atë radhë në oborr? Ne kishim kamera. Nisëm t’i lëviznim dhe e pamë. Po, ishte Nënë Tereza. E më pas të gjithë thamë. O Zot i madh, le ta ftojmë e të vijë në zyrë e mos ta lëmë të presë në atë vapë korriku. Dërguam dikë jashtë e bashkë me një roje marins që kishim, e pyetën nëse kishte dëshirë të vinte brenda në zyrë.

Ajo tha jo. Do të pres në radhë si gjithë të tjerët. Tha, faleminderit. Po pres deri sa të më vijë radha. Priti rreth 20-30 minuta e më pas erdhi tek sporteli im i vizave. Nuk po aplikonte për veten e saj, por për dikë tjetër.

Sokol Balla: Sa e thjeshtë dhe sa e jashtëzakonshme ishte ajo.

Richard M.Mills Jr.: Po. Absolutisht që po. Unë i kërkova ndjesë për pritjen. Ajo ishte shumë gazmore e më tha “s’ka asgjë të keqe të priturit në radhë. Ia vlen nëse dikush arrin të shkojë në SHBA. Ishte me të vërtetë shumë shumë e mirë. Kam kujtim të mrekullueshëm prej saj se sa e jashtëzakonshme ishte. Është e vërtetë se disa njerëz ndonjëherë rrezatojnë kualitete dhe ajo me të vërtetë i rezatonte ato kualitete.

Sokol Balla: Ambasador Mills shumë faleminderit që ishit me ne.

Richard M.Mills Jr.: Faleminderit, ishte një kënaqësi.

Top Channel