Pas rrugës “Fan Noli”, në Bronx të Nju Jorkut tani gjendet edhe një rrugë që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Pas rrugës “Fan Noli”, në Bronx të Nju Jorkut tani gjendet edhe një rrugë që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ajo ndodhet në kryqëzimin midis “Arthur Avenue” dhe “Crescent Avenue” dhe u përurua dje, në një ceremoni të veçantë, ku morën pjesë, përveç komunitetit shqiptar që jetojnë dhe punojnë atje, edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, dhe zyrtarë të lartë amerikanë, si senatori Chuck Schumer, ligjvënësit Adriano Espalliat, Richie Torres etj.
Kryebashkiaku Veliaj falënderoi ata që mundësuan emërtimin e rrugëve në Nju Jork me emrat e dy personaliteteve të kombit shqiptar, si dhe u shpreh i emocionuar për një ngjarje si kjo, kaq e rëndësishme për shqiptarët. “Kur përfunduam sheshin “Skëndërbej” pata shumë emocione, se ai është sheshi më i madh i shqiptarëve, në qendër të Tiranës. Por, di të them se nuk kam ndjerë kurrë kaq shumë energji pozitive, kaq shumë dashuri dhe kaq shumë mirësi se sa këtu, në rrugën “Skënderbej” në Nju Jork. Një super bravo për Mark Gjonajn, për djemtë dhe vajzat e shkëlqyera, për brezat e rinj, që i pamë këtu, për kombin tonë të bukur, njerëz të punës”, tha Veliaj.
Në sheshin e tejmbushur, ai theksoi se sot shqiptarët janë sot më të bashkuar se kurrë. “Dikur, kur isha student këtu, as e mendoja kurrë se do të vinte kjo ditë. Nuk e kisha parë as në ëndrrën më të bukur se, një ditë, do të rikthehesha në qytetin ku kam shumë kujtime, për të përjetuar kujtimin më të bukur, përurimin e rrugës “Gjergj Kastriot Skëndërbeu” në Nju Jork. Ka shumë njerëz që thonë se ne jemi një vend i vogël si territor, nuk jemi të mëdhenj si Amerika, ne jemi të vegjël edhe në numër, por sot kemi treguar se ne jemi aq të mëdhenj sa idetë tona, dhe për sa kohë idetë tona janë të mëdha, dhe për sa kohë idetë e Skëndërbeut ishin të mëdha, kombi ynë është i madh dhe sot më i bashkuar se kurrë”, deklaroi Veliaj.
Kryebashkiaku shtoi se kur shqiptarët janë bashkë, ata janë më të forte, njësoj siç është mesazhi i Skënderbeut. “Kur ne nuk ndahemi në llogore dhe bëhemi bashkë, jemi të pathyeshëm. Sot jam i lumtur që Fan Noli, i cili shkroi Historinë e Skëndërbeut, dhe Skëndërbeu, që bëri historinë e lavdishme të kombit tonë, janë të dy bashkë në rrugët e Nju Jorkut. Është komplimenti më i madh që, për një komunitet si i yni, të marrë pjesë në këtë ngjarje edhe kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, edhe senatori Nju Jorkut, edhe kongresmeni i juaj, sepse kombi ynë i ka bërë vend vetes me punë, me djersë dhe me meritë”, u shpreh Veliaj
Qindra shqiptarë me flamuj kuq e zi dhe amerikanë, me veshjet kombëtare, me plisa dhe qylaf të bardhë në kokë, patën mundësi që të ndiqnin më pas edhe një program të pasur artistik, ku nuk munguan as Gëzim Nika, Mjeshtër i Madh, Grupi i valltarëve “Rozafati” nga Angjelina Nika, Merita Halili dhe Raif Hyseni Mjeshtër i Madh, e mjaft emra të tjerë të njohur.
Top Channel