“Në një marrëdhënie të tillë partneriteti dhe vlerësimi në favor të shqiptarëve, Shqipëria dhe Partia Demokratike kanë vetëm një rrugë patriotike: të vazhdojmë të jemi në krah të SHBA.” – kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, në konferencën e mbajtur sot në Tiranë në kuadër të 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatikes mes SHBA e Shqipërisë.
Ndër të tjera Alibeaj u shpreh se Partia Demokratike është sot më e kthjellët se kurrë, se ajo Amerikë që vulosi suksesin e lëvizjes demokratizuese të vendit në fillim të viteve 1990, dhe se vetëm besimi te vlerat e demokracisë që ajo përfaqëson, do të mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kurthi i politikës së korruptuar dhe të dështuar të tranzicionit.
Fjala e plotë:
Si për të gjithë ju, ashtu dhe për mua është kënaqësi e veçantë që jemi mbledhur sot, e të celebrojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mikut të vyer, dhe të ftuarve iu përcjell përshëndetjet më të përzemërta në emër të Partisë Demokratike, e cila vlerëson pa asnjë lëkundje marrëdhëniet që Shqipëria ka me SHBA-në.
Ekzistenca formale e shtetit shqiptar u vulos në 28 korrik 1922, kur Sekretari i Shtetit Charles Evans Hughes autorizoi komisionerin për Shqipërinë Maxëell Blake t’i dorëzonte ministrit të Jashtëm Pandeli Evangjelit, njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë nga SHBA. Në fakt, realisht njohja e Shqipërisë nga SHBA, kishte ndodhur kohë më parë, atëherë kur Presidenti Ëilson kundërshtoi copëtimin e shtetit shqiptar sipas ujdive të arritura nga fuqitë e tjera.
E pra, historia e shtetit tonë, që në fillesë është shenjuar prej ndihmës dhe mbrojtjes së ShBA. Pas natës së errët 45 vjecare të diktaturës komuniste, ripërtëritja e kësaj marrëdhënie ndër të tjera përkon edhe me lindjen e Partisë Demokratike. Historia e paskëtajme e Shqipërisë me ShBA, në njëfarë mënyre paralelizohet me marrëdhënien e posaçme që ShBA ka mbajtur me Partinë Demokratike.
Marrëdhëniet tona janë shprehje e qartë e orientimit perëndimor të Shqipërisë. Vetë PD që prej krijimit të saj është produkti më madhor i kësaj ngjizjeje ndërmjet ShBA dhe botëkuptimit dhe orientimit pro-perëndimor të shqiptarëve.
Qasja e ShBA ndaj Shqipërisë mund të përmblidhet në një togfjalësh: ndihmë dhe mbështetje. Ndihmë dhe mbështetje në çdo hap dhe sektor të rëndësishëm. Ndihmë dhe mbështetje me rezultate të prekshme. Mbështetje haptazi dhe fjalë të thëna troç në çdo situatë. Edhe pse ndonjëherë mund të jemi lënduar në moment, nga fjalët e thëna troç, kemi kuptuar që ndihma ka qenë e sinqertë. SHBA na kanë ndihmuar, duke na qenë në krah, në sfidat tona për të kapërcyer tranzicionin, për të forcuar shtetin e së drejtës dhe për të ndërtuar ekonominë e tregut. Çdo shqiptar është dëshmitar, dhe njëkohësisht mirënjohës, për të gjithë ndihmën që SHBA na ka dhënë ndër vite.
E përkundër kësaj, qasja e Shqipërisë dhe e PD vecanërisht, ndaj ShBA, duhet të përmblidhet po ashtu në një togfjalësh: luajalitet dhe mirënjohje. Luajalitet dhe mirënjohje sepse PD beson se ndihma dhe mbështetja, e dhënë me bujari dhe dashamirësi, afron Shqipërinë me vlerat themelore të demokracisë funksionale, shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, dinjitetin njerëzor dhe ekonominë funksionale.
Luajaliteti dhe mirënjohja kërkojnë edhe sinqeritet. Të jem i sinqertë, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA ka patur edhe periudha jo të shëndetshme. Ka patur edhe ngërçe. Shkak për këto ngërçe kanë qenë kryesisht paaftësia jonë për të kuptuar, ndonjëhere edhe refuzimi për të pranuar, e pastaj për të vënë në jetë në politikën shqiptare, vlerat mbi të cilat funksionon shteti i së drejtes, demokracia dhe fuqia e votës në vendin mik, në SHBA. Mbetjet e mentalitetit të diktaturës komuniste, pushtetarët e korruptuar, ata që kanë vënë interesin e tyre mbi atë të shqiptarëve kanë qenë dhe mbeten kërcënimi më i madh ndaj partneritetit tonë me ShBA.
Edhe sot ka ende të tillë. Ka njerëz që kanë humbur busullën e që duan t’i tregojnë rrugën Amerikës. Kanë humbur rrugën në oborr dhe duan t’ia humbin rrugën edhe Shqipërisë. Nuk do t’ia dalin. Nuk do t’ia dalin sepse kanë kundër shumicën dërrmuese të shqiptarëve dhe historinë e tyre mbi 100 vjecare.
Shqiptarët janë të vetëdijshëm, e po ashtu falenderues, se nga partneriteti me ShBA, të fituarit e mëdhenj janë shqiptarët. Ne e dimë që ShBA e kanë vlerësuar gjithmonë miqësinë shqiptare, dhe shqiptaret jo rastësisht renditen sot si një ndër popujt më proamerikanë. E kjo marrëdhënie e shkëlqyer ka dhene dhe frutet e veta. Në 100 vite, ShBA u dhanë shqiptarëve 2 shtete të pavarura. Asnjë lëvizje çlirimtare kombëtare shqiptare nuk ka bërë dot sa ShBA për Shqipërinë. ShBA kanë folur, ndihmuar, dhuruar dhe garantuar lirinë shqiptarëve, ngado ku janë, më shumë se të gjitha lëvizjet kombëtare të marra së bashku. Ndër të fundit është mbështetja për anëtarsimin në NATO. E ne shqiptarët i jemi mirënjohës SHBA për këtë mbështetje.
Në një marrëdhënie të tillë partneriteti dhe vlerësimi në favor të shqiptarëve, Shqipëria dhe Partia Demokratike kanë vetëm një rrugë patriotike: të vazhdojmë të jemi në krah të SHBA.
Partia Demokratike është sot më e kthjellët se kurrë, se ajo Amerikë që vulosi suksesin e lëvizjes demokratizuese të vendit në fillim të viteve 1990, vetëm besimi te vlerat e demokracisë që ajo përfaqëson, do të mund ta nxjerrin Shqipërinë nga kurthi i politikës së korruptuar dhe të dështuar të tranzicionit. Ne duhet, ne mundemi dhe do e nxjerrim Shqipërinë nga tranzicioni politik, korruptiv, kaotik, i tejzgjatur, që po vret përditë shpresat e shqiptarëve, që po largon të rinjtë e intelektualët, që po plak dhe po mpak popullsinë në Shqipëri. Ne do të dalim nga ky tranzicion. Dhe kjo jo vetëm si shpresë. Kjo do të ndodhë! Sic historia ka treguar, kjo do të ndodhë edhe falë mbështetjes së SHBA.
Në emër të Partisë Demokratike ju falenderoj nga zemra për të gjithë mbështetjen e dhënë, me besimin se e ardhmja do të jetë edhe më e mirë. Për Partinë Demokratike nuk ka asnjë mëdyshje se partneriteti ShBA-Shqipëri dhe ShBA-PD është i blatuar dhe buron në lidhjen mes dy popujve dhe si i tillë mbetet i paprekshëm per cdo administrat e në çdo kohë.
Falemnderit dhe gëzuar këtë përvjetor jubilar!
Top Channel