Lideri i grupit Kalush Orchestra, Oleg Psiuk i cili fitoi të shtunën “Eurovision 2022” me këngën “Stefania”, i ka dhuruar puthjen e lamtumirës të dashurës së tij, pasi do t’i bashkohet frontit të luftës në Ukrainës.

Reperi Psiuk u fotografua teksa përqafonte të dashurën e tij Oleksandra jashtë hotelit në Torino të Italisë ditën e djeshme.

I veshur me kapelën e tij rozë, të cilën e ka vendosur edhe në festivalin e këngës dhe me një çantë shpine, këngëtari  i vendosi gjërat e tij në një taksi për tu nisur më pas drejt vendit të tij.

Votimi i Ukrainës përfundoi me 631 pikë, Britania e Madhe përfundoi e dyta me 466 pikë dhe  Spanja përfundoi e treta me 459 pikë.

Pas fitores së “Eurovision 2022”, sipas Daily Mail, Volodymyr Zelensky u zotua të mbajë Eurovisionin në Mariupol vitin e ardhshëm, pasi mbështetja e madhe nga publiku evropian i solli Ukrainës fitoren.

“Guximi ynë i bën përshtypje botës, muzika jonë pushton Evropën. Vitin e ardhshëm Ukraina do të presë Eurovisionin. Për herë të tretë në historinë e saj dhe, besoj, jo e fundit. Ne do të bëjmë çmos që një ditë të presim pjesëmarrësit dhe të ftuarit e Eurovisionit në Mariupol të Ukrainës. E lirë, paqësore, e rindërtuar. Falënderoj Orkestrën Kalush për këtë fitore dhe të gjithë ata që na dhanë votat tuaja. Jam i sigurt se tingulli i fitores në betejën me armikun nuk është i largët. Lavdi Ukrainës”, tha Zelensky.

Deklarata ka ardhur edhe nga vetë Psiuk, i cili falenderon të gjithë ata që votuan dhe se kjo fitore do të ndihmojë në situatën emocionale tek ukrainasit.

“Dëshirojmë të falënderojmë të gjithë që votuan për Ukrainën, kjo fitore do të thotë shumë për ne. Kjo fitore do të ngrejë shpirtrat dhe do të çojë në më shumë fitore në të gjitha frontet. Njerëzit po vriten në luftë ose luftojnë në luftë ose humbasin punën e tyre në Ukrainë, nuk është në të vërtetë koha më e mirë për festime”, tha reperi.

Kënga është shkruar nga ai, para fillimit të luftës dhe mori një kuptim tjetër me nisjen e një situate dramatike në Ukrainë.

“Po kthehem në shtëpi pasi drejtoj një organizatë vullnetare që ndihmon refugjatët me ushqim, strehim dhe mjekim. Unë do të vazhdoj ta bëj këtë. Ne do të presim Eurovisionin në një Ukrainë të sapondërtuar dhe të lumtur”, u shpreh këngëtari i grupit.

Banda prej gjashtë djemsh mori leje speciale që të largoheshin nga vendi, për të vijuar rrugëtimin e tyre.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel