Gazetarja Anila Hoxha e ftuar në emisionin Top Story këtë të enjte komentoi debatet e fundit që po ndodhin me në qendër Prokurorinë e Posaçme, SPAK.
Ajo u shpreh se kryetarja e BKH-së, Aida Hajnaj refuzon të jetë shtojcë e SPAK, kurse debati i KLP me kreun e SPAK, Arben Kraja është debat për kompetenca.
“ Anija e SPAK e BKH është çarë. Pyetja e anëtarit të KLP ishte shumë e fortë. Ai tha se të gjitha operacionet përfundojnë si shpërdorime detyre. Arben Kraja përdori diplomacinë në përgjigjen e tij. Është një sherr për ligjin për kompetencat, Kraja thotë se ju jeni pjesë e SPAK dhe duhet të qëndroni nën ombrellën tonë, SPAK pret të përfundojë hetimin edhe për rreth 30 hetues të BKH, por kjo është një marrëdhënie që kanë ndërhyrë edhe ndërkombëtarët”, tha Hoxha.
Pas sulmit të kreut të qeverisë Edi Rama, i cili krijoi shumë debat, kryeprokurori Arben Kraja dha llogari sot para një tjetër institucioni nga i cili varet SPAK, KLP-ja.
Arben Kraja u ankua në Këshill për volumin e lartë të përgjimeve që nuk mundësohet të zbardhen në kohë, mos plotësimin e BKH me kuotën prej 60 hetuesish dhe madhe edhe për drejtoreshën e Byrosë për të cilën theksoi se kishin këndvështrime të ndryshme.
Megjithëse nuk e shtjelloi më tej duke shtuar se të huajt kanë dhënë rekomandimet e tyre, ajo për të cilën ankohet Kraja në raport me Hajnaj, lidhet me trajtimin që SPAK i bën BKH si polici gjyqësore në një kohë që ata kanë rolin e hetuesit. pikërisht këto pozita po lufton që të ruajë Aida Hajnaj , për të cilat u premtua se do ishin modeli i FBI amerikane.
SPAK vijon të kërkojë më tepër ambiente dhe më tepër staf. Kreu i KLP paralajmëroi Arben Krajën se qeveria e prokurorisë së shpejti do nisë vlerësimin e të gjithë prokurorëve në rang vendi, ku nuk përjashtohen as prokurorët e posaçëm.
Top Channel