Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian/ Balla: Zero shanse që Bullgaria të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut! Tabaku: Kriter kryesor lufta ndaj krimit të organizuar

11/05/2022 15:55

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi se ka zero shanse që Bullgaria të heqë veton ndaj Maqedonisë së Veriut, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian.

Balla ritheksoi se Shqipëria duhet të bëjë detyrat e saj të shtëpisë të përcaktuara nga Komisioni Europian që kjo të realizohet.

“Shanset që Bullgaria të heqë veton janë thuajse zero. E dimë se sa e vështirë është që të bësh një rezolutë në parlamentin bullgar, për të kërkuar mbajtjen e konferencës ndërqeveritare me Bullgarinë. Kjo është çështje që nuk na takon. Kjo është mbledhja e parë e një serie intensive që kemi që t’i paraprijë qershorit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, është me rëndësi. Në progres-raport thuhet dhe po e lexoj; Komisioni Europian rekomandon të sigurohet që procedurat penale të nisin në mënyrë sistematike kundër gjyqtarëve dhe prokurorive. Ajo që po themi ne është se detyrat e shtëpisë që na ka vendosur KE t’i bëjmë në mënyrë intensive dhe të menjëhershme. Në takimet e ardhshme, do të kemi dhe drejtues të prokurorisë, dhe të SPAK, që t’i marrim një për një. Roli drejtues është monitorimi i detyrave që na janë vendosur. Dy përfaqësuesit e qeverisë që kanë ardhur në këtë takim, ministri Brendshëm dhe zoti Koçi, t’i dëgjojmë me vëmendje se çfarë është bërë”, tha Balla.

Ndërsa Jorida Tabaku u shpreh se vetoja bullgare po përdoret nga Rama si pengesë kur në të vërtetë një prej kritereve kryesore është lufta ndaj krimit të organizuar.

“Në fakt kjo është thjeshtë një retorikë politike, dhe detyrat e qeverisë shqiptare janë tashmë shumë të qarta ku kriteri ndaj luftës ndaj krimit të organizuar është ndër kryesoret.”

“Sipari i disa tryezave raportuese të KKIE, përsa i përket 6 parakushte për hapjen e negociatave dhe me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare, ka qenë traditë që të kishte debat në parlament, por kjo gjë nuk ka ndodhur, ndaj shpresoj që ky takim të jetë një mundësi e mirë për një qasje të re për rolin mbikëqyrës që duhet të ketë Parlamenti për integrimin Europian”, tha Tabaku.

“Duhet shtuar që ky është një proces i vazhdueshëm, dhe përgjegjësi për të gjithë ne si anëtarë në KKIE por dhe vetë deputetëve të ushtrojnë të gjithë kontrollin parlamentar.”

Tabaku në fjalën e parë të saj ndahu tre çështje thelbësore të cilat po trajtohen në këtë takim.

“Së pari duke iu referuar progres raportit të Komisionit Europian, çështjet mbi krimin e organizuar mbeten mjaft të ndjeshme. Duke iu referua Porgres raportit, ku thuhet se “krimi i organizuar mbetet një shqetësim. Raporti thekson se përpjekjet dhe vullneti politik duhet të rriten në drejtim të konsolidimit të historikut të sekuestrimit dhe konfiskimit të aseteve kriminale, si dhe krijimit të një historie solide në luftën kundër krimit të organizuar. Nga të dhënat zyrtare deri më tani numri i zyrtarëve të lartë të cilët janë nën hetim mbetet i ulët, duke theksuar se hetimet nuk përfunduar me vendim dënimi nga gjykata.”

“Këtu duhet të ndalemi dhe tek një element i rëndësishëm, siç është krimi zgjedhor që për opozitën ka ndjeshmëri edhe më të madhe, kur shohim një qasje të penguar ndaj dy dosjeve të çështjeve 184 dhe 339, çka dëshmon edhe një herë mungesën e theksuar të pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë.

Së dyti është çështja që ka të bëjë me pastrimin e parave dhe korrupsionit. Prej dy vitesh Shqipëria është futur në listën gri të MoneyVal çka dëshmon dhe një mungesën e vullnetit politik për të luftuar krimin e organizuar. Duke iu referuar raportit të SHISH se “Krimi i organizuar në Shqipëri ka një lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe ka adaptuar mënyra të ndryshme të ndërveprimit kundër agjencive ligjzbatuese. Grupet kriminale në vend kanë pak a shumë të njëjtin “format” të biznesit; trafik droge dhe trafik lëndësh të palejueshme, krime ekonomike, kontrabandë dhe kështu me radhë.”

Së treti, për Komisionin Europian me rëndësi ngelen dhe çështja  e emigracionit, ku kërkohen përpjekje të konsiderueshme nga ana e qeverisë çka dëshmon një vullnet të ulët politik.

Duke e përmbyllur duhet kërkuar dhe Ministrit Çuçi se cfarë është duke bërë aktualisht me ekipin negociator për integrimin europian duke qenë se krimi i organizuar dhe çështjet ndërlidhëse mbeten ndër elementët kryesore për dosjen e punës me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, përkatësisht kapitulli 23 dhe kapitulli 24 në Clustër të Parë”, tha Tabaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA