“Shqetësimi im kur u zgjodha President”, Ilir Meta në ‘Top Story’: Doja që opozita të hynte sërish në parlament

10/05/2022 21:18

Presidenti i Republikës, Ilir Meta i ftuar mbrëmjen e sotme në Top Story me Sokol Ballën foli rreth rrugëtimit të tij si president i vendit.

Ai tregoi se në fillimet e tij shqetësimi më i madh ishte të realizonte futjen e opozitës sërish në zgjedhje.

Meta u shpreh se gjatë këtyre pesë viteve është ndjerë vetëm si presidenti tradhtuar dhe i minuar nga miqtë dhe armiqtë për çdo lloj arsyeje.

Ai tha se për të ky rrugëtim ka qenë mjaft i vështirë pasi nuk është normale që presidenti të mbetej i vetëm në një parlament një partiak dhe në këtë situatë i është dashur të kërkojë ndihmën e popullit.

Gazetari Sokol Balla: Nga zgjedhja si kryetar shteti në prill të 2017, si i kujtoni ato ditë?

“Shqetësimi im nuk ishte se si u zgjodha por qëllimi ishte si do të bëja të pamundurën se si opozita të hynte në zgjedhje e të dilte nga çadra sepse ishte një përpjekje e kryeministrit dhe disa ndërkombëtarëve për ta lënë PD-në në çadër.

Loja ishte e qartë dhe unë ndihëm sikur mezi po pres të dal nga një ëndërr. E kam me shumë qetësi, kjo periudhë e presidencës ka tre faza që të jemi objektiv. Është faza e parë ku Rama thoshte se ky është presidenti më i mirë ishte një presidencë normale derisa opozita dogji mandatet. Besoj të gjithë e kanë të qartë filmin në fund të fundit konkluzioni është i qartë i prerë, Ilir meta gjatë këtyre pesë viteve e sidomos nga 17 shkurti e deri tani kur opozita është e paralizuar, kam qenë i vetëm si president i tradhtuar, i minuar nga miqtë dhe armiqtë për çdo lloj arsyeje. Si mund të jetë normale kur një president ngelet i vetëm në një parlament një partiak.

Mua ma bënë më të vështirë por antenat i ngrita më lart, u detyrova të kërkoja edhe ndihmën e popullit.

Nga muaji dhjetor që lindën konfliktet e KED, kur e kuptova që këta donin të rrëmbenin anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që i përkasin presidentit, kam bërë çdo përpjekje për të shmangur dy marsin.”

Kujtojmë se Ilir Meta u zgjodh President në vitin 2017, i shtati i Republikës së Shqipërisë, me 87 vota pro dhe dy kundër.

Partia Socialiste ka kryer proceduat dy herë brenda dy viteve për shkarkimin e presidentit Meta, për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Paralajmërimi i parë për shkarkimin e Metës erdhi nga kryeministri Edi Rama, dy ditë para zgjedhjeve të 25 prillit.

Ilir Meta paralajmëroi se do të jepte dorëheqjen nga posti nëse PS merrte 71 mandate, por nuk e bëri një gjë të tillë edhe pse socialistët arritën të siguronin 74 mandate në zgjedhjet e 25 prillit.

Vendi ynë po përgatitet për zgjedhjet presidenciale në korrik, ndërsa maxhoranca dhe opozita janë në negociata për emrat që do të kandidojnë për kreun e ri të shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA