“I bashkohem Ramës”/ Taulant Balla: Prokuroria ka të gjitha kallëzimet për dosjen e Berishës, 90 përqind e qytetarëve duan hetim nga SPAK

09/05/2022 21:22

I ftuar mbrëmjen e sotme në Top Story, kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, ka mbështetur qëndrimet e kryeministrit Rama rreth hetimit të Berishës nga SPAK.

Ai u shpreh se prokuroria i ka të gjitha kallëzimet dhe duhet të vazhdojë puna në lidhje me këtë çështje. Balla tha se nuk është dakord me ata që thonë se Berisha duhet hetuar nga Amerika dhe se 90 përqind e shqiptarëve janë dakord për hetim të Berishës.

“Kam dorëzuar një kallëzim të plotë me gjithë dokumentacionin. Sot kanë kaluar njëzet e më shumë muaj dhe nuk kam asnjë lloj informacioni se çfarë bëhet me atë dosje. Kam të drejtën të informohem  dhe të biem të gjithë dakord se në 19 maj të 2021 SHBA zyrtarisht kanë shpallur Berishën non-grata për korrupsion. Unë nuk jam dakord me përgjigjën që është dhënë ne parlament që kjo është një çështje që i përket Amerikes, prokuroria shqiptare i ka të gjitha kallëzimet e nevojshme për një pjesë të e veprave të Berishës. Si ka mundësi që prokuroria dhe SPAK vendosen menjëherë në lëvizje për plot çështje ndërsa për Berishën akoma asgjë. Unë mendoj që këto çështje qëndrojnë. Nuk është një sulm por është një apel. 90% e qytetarëve shqiptarë duan që SPAK-u të hetojë korrupsionin e nivelit të lartë.”

Prokuroria e  Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar mori kritika të forta nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së PS-së, për performancën e deritanishme gati tre-vjeçare, duke edhe nxitur debat.

Më pas në një dalje për mediat, deputeti Belind Këlliçi tha se ka informacione të besueshme se Rama është i përfshirë në hetime ndërkombëtare dhe përmes shantazhit i kërkon Prokurorisë të tërhiqet nga çështje që e prekin drejtpërdrejt dhe njerëz shumë të afërt të kryeministrit.

Top Channel