Rama: SPAK po dështon. Akuza e kryeministrit: Pengoi gjyqtarin e vlerësuar nga DASH

07/05/2022 15:04

Prokuroria e  Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar ka marrë kritika të forta nga kryeministri Edi Rama për performancën e deritanishme gati tre vjeçare.

Retorika e zgjedhur nga Rama në adresë të SPAK ishte e ashpër dhe la të kuptohet se për kryeministrin kjo strukturë është afër dështimit të misionit të saj, financuar e  mbështetur fort nga SHBA dhe BE.

“Keni për të çuar përpara gjykatës këdo qoftë që i përket niveleve më të larta të kësaj bashkësie politike, bujrum çojini, por realisht po yni në kohën shtesë të ndeshjes me të keqen në këtë vend dhe deri tani e keqja kualifikohet dhe ju s’kualifikoheni deri tani. E kualifikimi i të keqes nuk është çështja se dikush apo disa do t’ia hedhin pa u lagur, kualifikimi i të keqes është se e keqja do ta vëri përfund përsëri këtë vend, siç e kishte vënë përfund përpara se të krijoheshit ju, SPAK-u, apo përpara se të krijohej Gjykata e Krimeve të korrupsionit e çfarë ka tjetër atje apo përpara se të krijoheshin institucionet e reja të drejtësisë.”

Edi Rama shfaqi zero shqetësim për arrestimin nga SPAK të ish ministrit Lefter Koka, ish sekretarit të përgjithshëm të ministrisë së mjedisit Alqi Bllako apo edhe kryebashkiakut socialist të Lushnjës Fatos Tushe.

Shqetësimin e ka me çështjet që SPAK u jep prioritet të hetojë.

“SPAK në mënyrë të rrufeshme, a thua se ishte i koordinuar si sahat zviceran me atë zotërinë  që për pak ditë apo javë më në fund do largohet nga zyra e presidentit të republikës. Çështje në hetim, gjë të cilën pastaj procesi gjygjësor çmontoi dhe e shfryu si një flluskë sapuni, por nëse ky sahat zviceran  do të ishte vërtet i pa-konkurueshëm në precizionin e tij, sa gjykatës dhe sa prokurorë të nxjerrë jashtë nga Vetingu për pasuri marramendëse të pajustifikuar dhe të pajustifikueshme, do ishin sot në burg.”

Nga asambleja kombëtare e PS, kritikat e Ramës për SPAK vijuan për gjykatësit e prokurorët e korruptuar të kapur nga rrjeta e vetigut por që vijojnë të gëzojnë paratë e korrupsionit të tyre.

“Sepse u bë kohë që peshkaqenët e mëdhenj të sistemit të drejtësisë, vetingu i ka flakur përjashta.  Ku janë ata sot, me ça merren? Ata janë në punën e tyre, asnjë gjemb në këmbë nuk u ka hyrë, ndërkohë që BE ia ka lënë Shqipërisë me shkrim për të vazhduar procesin dhe në momentin që Shqipëria do të ulet në tryezen e negociatave, gjëja e parë që do t’i thonë Shqipërisë, është: na tregoni pak, sa gjykatës dhe prokurorë të korruptuar janë marë në hetim dhe janë çuar para drejtësisë? Zero. “

Sali Berishës, Rama nuk ia përmendi emrin. Por ajo që tha kishte referencë të drejtpërdrejtë me paraardhësin e tij.

“Cështja e non gratës së madhe, nuk është një çështje e Amerikës, është një çështje e Shqipërisë, nuk është një problem i Amerikës, është një problem i Shqipërisë, nuk është një hall i Departamentit të Shtetit, është një hall i popullit shqiptar dhe sfida në fakt në thelb nuk është një sfidë që non grata e madhe me ata të verbrit që e ndjekin pas ia bëjnë Amerikës, jo. Kush e sheh kështu gabon! Është një sfidë që ia bëjnë drejtësisë! Është një sfidë që i bëjnë sensit të së drejtës në këtë vend.Ky nuk është problem i shteteve të Bashkuara miqtë e mi. Ky është një problem i madh i Shqipërisë të së nesërmes e po u them sot, ju e dini besoj por atyre që nuk e dinë, që sapo të ulemi në tryezën e negociatave, kjo do të jetë kënga e re që do të fillojë.”

Në emër të garantimit e vijimit të reformës në drejtësi Edi Rama pati edhe këtë thirrje për SPAK.

“Zonja e zotërinj të SPAK-ut, zgjohuni e dilni në mbrojtje Shqipërisë.  Nëse Shqipëria sot është e turpëruar përpara një non gratë, një të vdekuri që i bën karshillëk këtij populli dhe tër dynjasë, këtë turp ka vetëm një që duhet ta mbajë, SPAK-u. Askush tjetër! Kush e ka lexuar mandatën e sekretarit të shtetit, e ka shumë të qartë që ju takon institucioneve të drejtësisë në Shqipëri të bëjnë detyrën e tyre bazuar në atë përfundim të nxjerrë nga departamenti i Shtetit dhe kjo nuk është për Amerikën, po e përsëris. Revolta ime dhe e jona nuk është se po na ofendohet Amerika apo se po fyhet Amerika për ta thënë me të njëjtën fjalë, jo, fare! Është se po sfidohet drejtësia dhe se po delegjitimohet SPAk-u dhe i gjithë sistemi i ri i drejtësisë që ka ngatërruar detyrat e kontrollit të lartë të shtetit me detyrat e prokurorisë speciale.”

 

 

Top Channel