Analisti Carlo Bollino ka theksuar mbrëmjen e sotme në Top Story se është i bindur se SPAK ka frikë të hetojë çdo çështje që kanë lidhje me Sali Berishën.

Nga ana tjetër Bollino tha se qeveria ka në dorë edhe mënyra të tjera për të luftuar korrupsionin, nuk është vetëm SPAK-u.

“Unë kam bindje që SPAK-u ka frikë të hetojë të gjithë ato çështje që kanë lidhje me Berishën. në këto momente për SPAK-un është akoma më e vështirë, pasi ka rifilluar lufta e brendshme se kush do të zëvendësojë Krajën. 21 janari është një nga ato raste ku unë kam qenë i vetmi gazetar që kam treguar prova dhe kam vërtetuar video që goditjet kanë nisur nga garda ndërkohë që retorika e kryeministrit të atëhershëm ishte që janë qëlluar nga protestues. Unë kam shkuar edhe përtej kallëzimit tuaj. Që SPAK-u ka vështirësi dhe frikë për të prekur këtë dosje të ndërlikuar kjo është e faktuar. Janë 9 vite që qeveria është në pushtet dhe për të bërë drejtësi dhe luftë korrupsioni , shteti ka në dorë edhe mënyra të tjera jo vetëm SPAK-un. Kryeministri ka paralajmëruar një taskforcë që do të niste punën në mars e ne jemi në maj ndërsa unë skam dëgjuar asnjë rast që biznesmenët të jenë kapur për pastrim parash përtej rrogave. SPAK-u ka drejtësi të njëanshme vetëm për një pjesë.”

Prokuroria e  Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar mori kritika të forta nga kryeministri Edi Rama gjatë Asamblesë së PS-së, për performancën e deritanishme gati tre-vjeçare, duke edhe nxitur debat.

Më pas në një dalje për mediat, deputeti Belind Këlliçi tha se ka informacione të besueshme se Rama është i përfshirë në hetime ndërkombëtare dhe përmes shantazhit i kërkon Prokurorisë të tërhiqet nga çështje që e prekin drejtpërdrejt dhe njerëz shumë të afërt të kryeministrit.

Top Channel