As mobilizim, as fitore/ Dita e “palavdishme”e Fitores në Rusi, justifikimi i Putinit!

09/05/2022 12:56

As mobilizim të plotë të ushtrisë, sic druheshin disa, e as fitore të trupave ruse: në fjalimin e shumëtrumpetuar të presidentit rus Vladimir Putin në Ditën e Fitores, munguan pohimet që pretendohet se ai mund të bënte në kremtimin e triumfit të Rusisë në Luften e Dytë Botërore.

Shefi i Kremlinit e nisi fjalën e tij duke thënë se ushtria ruse në Ukrainë se “po lufton për sigurinë e vendit të vet”, dhe i mëshoi idesë se aleanca ushtarake e NATO-s, ku Ukraina shprehu ambicjen të anëtarësohej, është “kërcënim i dukshëm” për Rusinë.

Putin: Vendet e NATO-s nuk deshën të na dëgjonin, cka tregon se në fakt, kishin plane të tjera. Rusia i ka kërkuar Europës që të gjejë një kompromis të drejtë, por ajo nuk ka dashur të dëgjojë. Operacioni special ushtarak” i Rusisë në Ukrainë ishte një “veprim i nevojshëm” dhe “në kohë”.Në Kiev kanë thënë se mund të sigurojnë armë bërthamore dhe NATO-ja ka filluar t’i eksplorojë tokat afër nesh. Ky u bë një kërcënim i dukshëm për vendin tonë dhe për kufijtë tanë. Gjithçka tregoi se ekzistonte nevoja për të luftuar.

Putin shtoi se vdekja e çdo ushtari dhe oficeri rus “është e dhimbshme” dhe theksoi se shteti rus “do të bëjë gjithçka për t’u kujdesur për familjet e tyre”. “Ju po luftoni për atdheun tuaj, për të ardhmen e tij”, u tha Putin ushtarëve rusë që po luftojnë në lindje të Ukrainës.

Në paradën pompoze të Ditës së Fitores, që njihet si mposhtje e Gjermanisë naziste në vitin 1945, trupa, tanke, raketa u shfaqën në Sheshin e Kuq të Moskës dhe në qytete të tjera të vendit. Putini e ka shndërruar këtë ditë në një ekspozim të fuqisë së ushtrisë ruse, si dhe në rast për të kujtuar sakrificat e Luftës së Dytë Botërore.

Këtë vit megjithatë, parada gjigande ushtarake  u zhvillua në hijen e pushtimit të Ukrainës, ku ushtria ruse ende nuk ka arritur të marrë nën kontroll ndonjë qytet të mëdha, e ka pësuart humbje të ndjeshme.

Top Channel