“Stop vrasjes në komisariate”/ Potestë paqësore në disa qytete të vendit pas vdekjes së Ilvi Metës

07/05/2022 20:15

Qytetarë në disa prej qyteteve të vendit kanë protestuar në mënyrë paqësore pas vdekjes së të riut Ilvi Meta në komisariatin e Kavajës.

Protesta e heshtur dhe paqësore e thirrur nga PD disa orë më parë, po mbahet me moton “Stop vrasjes në komisariate”.

Nën moton ”Stop vrasjes në komisariate”, në qytetin e Durrësit dhe Kavajës po zhvillohet protesta e heshtur pranë komisariatit të policisë ku të rinj me pankarta në duar janë vendosur para godinës policore.

Ata kanë ndezur qirinj për humbjen e jetës brenda dhomave të sigurisë në komisariatet e policisë. Pas vdekjes së dyshimtë të Ilvi Metës në ambientet e brendshme të komisariatit të Kavajës më 4 maj, komisioni i rithemelimit kërkoi që demokratë dhe qytetarë në të gjithë vendin të protestojnë paqësisht para komisariateve të policisë në mbrojtje të jetës.

Edhe demokratët e Shkodrës zhvilluan një protestë paqësore përpara komisariatit të policisë. Ata u mblodhën duke mbajtur 1 minutë heshtje teksa ndezën edhe qirinjtë. Kryetari i PD Shkodër, Gjenerin Kapcari i bëri thirrje prokurorisë që ngjarja ku mbeti i vdekur i riu Meta, të zbulohet.

Për gati 20 minuta një grup anëtarësh dhe simpatizantësh të Partisë Demokratike të degës së Korçës kanë protestuar pranë komisariatit të policisë së Korçës.

Sipas kryetarit të kësaj dege, Devis Osmani shkak është bërë vdekja në mënyrë të paqartë e një të riu në mjediset e komisariatit të Kavajës.

Sipas Osmanit, ngjashëm ka ndodhur edhe në tre vite më parë brenda komisariatit të Korçës, ngjarje që edhe sot, sipas tij, ka mbetur e pazbardhur.

Protesta homazh me ndezje qirinjsh janë zhvilluar në mjediset e komisariatit të Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës.

I vdekuri Ilvi Meta

Kujtojmë se dy ditë më parë të afërm dhe familjarë të tij vendosën qirinj në komisariatin e Kavajës.

Gjykata e Kavajës caktoi sot masën e sigurisë ”Arrest në burg” për tre punonjësit e komisariatit të policisë të cilët u arrestuan nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pas vdekjes së Ilvi Metës brenda ambienteve të komisariatit të policisë më 4 maj.

Mbrojtja e të arrestuarve kërkoi një masë më të lehtë shtrënguese duke deklaruar se janë persona pa rrezikshmëri shoqërore, por gjykata nuk e mori parasysh kërkesën duke caktuar arrest në burg për të tre deri në përfundim të hetimeve.

Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer të mbyllura. Prokurori i çështjes kërkoi arrest në burg për të tre të arrestuarit, ish-efektivët e policisë Rushit Kola, Bexhet Berberi dhe nënkomisar Petrit Brahimajn, kërkesë që u pranua nga gjyqtarja Diamela Goxha, ndërsa hetimet për vdekjen e Metës vazhdojnë.

Në pranga për ngjarjen përfunduar nën komisari Betrit Berhamaj  dhe inspektorët Bexhet Beriberi dhe Reshit Kola.

Ata akuzohen se nuk zbatuan procedurat standarde të trajtimit të personave të ndaluar duke e lejuar të mbante rripin me të cilin i riu kreu vetëvrasjen.

Megjithëse hetimet paraprake për ndarjen nga jeta të 31-vjeçarit Ilvi Meta, brenda komisariatit të Kavajës, treguan se kemi të bëjmë me një vetëvrasje, por familjarët ngrenë hije dyshimi, sepse sipas tyre ai nuk e vuante shoqërimin në polici apo dënimin.

Emisioni Top Story publikoi ekskluzivisht, me miratimin e familjarëve, foto të trupit të pajetë pak minuta pasi u gjet nga policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA