Ministri çek: Duhet më shumë kohë për të zbatuar embargo në energjinë ruse

07/05/2022 08:51

Republika Çeke ka thënë se duhet më shumë kohë për të zbatuar embargon e propozuar nga Bashkimi Evropian për energjinë ruse, për shkak të “kostos së rëndë ekonomike”.

Mikulas Bek, ministër çek për Çështje Evropiane, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se ky shtet nuk mund të ndalë menjëherë furnizimet ruse pasi kjo gjë do të kishte ndikim në industri.

Sipas tij, një situatë e tillë do ta bënte të pamundur ndihmën ndaj Ukrainës, meqë “shteti do të përballej me krizë praktike në ekonomi”.

Republika Çeke, e cila merr rreth gjysmën e naftës së papërpunuar nga Rusia, ka thënë se propozimi i fundit i Komisionit Evropian për të ndalur furnizimet me naftë është hap në drejtimin e duhur, ndonëse kryeministri çek, Petr Fiala, ka thënë më 6 maj se bisedimet janë duke vazhduar.

Bek ka thënë se pozicioni çek në embargo ndaj naftës nuk duhet të interpretohet si shenjë se shteti nuk mbështet Ukrainën, pasi “ne jemi të gatshëm të dërgojmë armë gjithë kohën”.

“Ne mbështesim refugjatët dhe për aq kohë sa nafta është shqetësuese, neve na duhet një zgjidhje evropiane për problemin. Ne jemi duke kërkuar për të”.

Komisioni Evropian ka propozuar një paketë të re të sanksioneve kundër Rusisë, e gjashtë prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt, e cila parasheh heqjen dorë nga nafta ruse deri në fund të vitit.

Hungaria dhe Sllovakia kanë kërkuar menjëherë që të përjashtohen nga ai afat kohor, derisa edhe çekët kanë kërkuar afat më të gjatë. Të tria këto shtete janë shumë të varura nga nafta e papërpunuar ruse.

Sipas disa burimeve diplomatike, në mesin e kompromiseve për pakon në Bruksel janë edhe ato që Hungaria dhe Sllovakia të heqin dorë nga nafta ruse deri në fund të vitit 2024 dhe Republika Çeke në qershor të po atij viti.

Budapesti tashmë kanë thënë se një afat i tillë kohë nuk është i pranueshëm dhe negociatat pritet të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës.

Bek ka thënë se kapaciteti i gazsjellësve në mes të Gjermanisë, apo Austrisë dhe Republikës Çeke “nuk është i mjaftueshëm” për të zëvendësuar furnizimet ruse. Ai ka thënë se “zgjatja e afatit kohor për dy vite do të mjaftonte”.

Ndonëse ndalesa ndaj gazit rus nuk është duke u negociuar në BE, ka shqetësime se Moska mund të ndalë furnizimet për më shumë shtete, pasi ka marrë këtë vendim për Bullgarinë dhe Poloninë ditëve të fundit, me arsyetimin se nuk kanë paguar në rubla./ REL

 

Top Channel