Vrau bashkëshorten në derë të Gjykatës/ Përfundojnë hetimet për Koço Buzon, çështja dërgohet për gjykim

06/05/2022 14:40

Kanë përfunduar hetimet në lidhje me vrasjen Liljana Buzos një vit më parë në Elbasan, ndërsa çështja e autorit Koço Buzo është dërguar për gjykim.

Ngjarja e rëndë ndodhi një vit më parë më 06/05/2021, në të cilën në afërsi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan i pandehuri Koço Buzo vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij Liljana Buzo, me të cilën ishte në proces divorc dhe plagosi shtetasit Gëzim Toçila dhe Adriatik Kolaj.

Si ndodhi ngjarja?

58-vjeçari ka ndjekur fshehurazi lëvizjet e bashkëshortes dhe dy djemve të tij dhe, pasi ato kanë hyrë në godinën e Gjykatës së Elbasanit. ku do të merrnin urdhrin e mbrojtjes nga Koço Buzo, ai ka qëndruar i fshehur rreth 50 metra larg në një nga anekset e rrugës që e lidh këtë institucion me Drejtorinë Vendore të Policisë.

Në momentin që bashkëshortja e tij, Liljana Buzo, e shoqëruar nga dy fëmijët, kanë dalë nga Gjykata dhe po ecnin në rrugën, ku ai i kishte zënë pritë, ka qëlluar menjëherë mbi të me breshëri kallashnikovi. Sikur mos të mjaftonte kjo, ai i ka ngulur edhe thikën në grykë.

Pasi qëlloi 7 herë ndaj bashkëshortes me arme dhe me thikë, ai ka plagosur edhe një avokat dhe një kalimtar, që ndërhynë të neutralizonin veprimet e mëtejshme të Buzos, i cili ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, por është arrestuar nga Policia.

Viktima ishte kërcënuar nga 58-vjecari mbrëmjen e së mërkurës, që të mos shkonte në Gjykatë mesditën e të enjtes dhe pasi ajo e kishte refuzuar këtë kërkesë të tij, bashkëshorti i bëri pritë pak metra larg Gjykatës, duke e vrarë.

Koço Buzo njihej si person i dhunshëm dhe përdorues alkooli. Krimi i kryer prej tij ka qenë i mirëmenduar. Koço Buzo dhe Liljana Buzo kishin 30 vite të martuar bashkë, jetesë që ishte shoqëruar nga problemet, dhunë dhe xhelozi.

 

 

Top Channel