Shpërthim në hotelin në qendër të Havanës, 8 viktima

06/05/2022 22:37

Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe më shumë se 30 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi masiv që shembi në tokë një nga hotelet me pesë yje të Kubës.

Shpërthimi në hotelin Saratoga në Havanën e Vjetër të premten duket se është shkaktuar nga një rrjedhje gazi, sipas zyrtarëve lokalë.

Operacionet e kërkim-shpëtimit  po vijojnë ende për të gjetur njerëzit e bllokuar nën rrënoja. Një qytetare e cila jeton një bllok larg hotelit, tha për CBS News se “mendoi fillimisht se [shpërthimi] ishte një tërmet”.

Presidenti i Kubës Miguel Diaz-Canel ka vizituar vendin e ngjarjes, i cili ndodhet përballë ndërtesës së vjetër të kongresit të qeverisë. “Nuk ishte një bombë apo sulm, është një aksident fatkeq”, tha ai.

Incidenti vjen teksa turizmi në vend po rikthehej nga dy vite të vështira të shkaktuara nga pandemia Covid-19.

Hoteli Saratoga ishte mbyllur për rinovim gjatë pjesës më të madhe të kësaj periudhe.

 

Ndërtesa e shekullit të 19-të ka pritur yje si Madonna, Beyonce dhe Mick Jagger që qëndruan atje gjatë shkrirjes midis Havanës dhe Uashingtonit nën Presidentin Barack Obama.

Top Channel