Shoqëria civile në Gjermani debaton ashpër për Ukrainën

06/05/2022 19:49

Lufta në Ukrainë po riorienton shoqërinë civile në Gjermani. Debati zhvillohet për furnizimin me armë të rënda gjermane të Ukrainës. Fronti i debatit nuk ka kalon më midis të majtëve dhe të djathtëve.

Që kur Rusia nisi luftën kundër Ukrainës, qeveria gjermane është përballur në mediet vendase dhe nga Ukraina me kërkesa këmbëngulëse, që i kanë mbizotëruar tonet e tjera: për ta furnizuar Ukrainën me armë të rënda, jo vetëm me armë defensive, në luftë kundër Rusisë. Sidomos nga Ukraina, përmes ambasadorit të saj në Gjermani është bërë presion publik: që Ukrainës t’i jepen pikërisht ato armë që kërkon ajo nga Gjermania: si p.sh. tanke, avionë etj. Pra që Gjermania të mos mjaftohet me vetëm 1,2 miliardë eurot, që i ka premtuar së fundi Ukrainës për të blerë armatime.

Megjithë kritikat, Gjermania është orientuar në qëndrimin e NATO-s për llojin e armatimeve. Por edhe në këtë kuadër, sipas Institutit të Kielit për Ekonominë Botërore (IfW), bazuar në Produktin e Brendshëm Bruto, ndihma që Gjermania i ka dhënë Ukrainës është shumë më e madhe se ndihma që i kanë dhënë p.sh. Britania e Madhe, Franca, Spanja dhe Italia. Ndërsa në shifra absolute, ndihma gjermane në konfliktin e Ukrainës prej 3,5 miliardë eurosh kalohet vetëm nga SHBA, me 10,3 miliardë euro.

Sido që të jetë në 28 prill, Bundestagu gjerman vendosi me shumicë dërrmuese votash që Ukrainës t’i dërgohen armë të rënda gjermane. Është marrë vendimi për të dërguar ndër të tjera tanke Marder, që kanë topa të posaçëm kundërajrorë, topa obusë vetëlëvizës si dhe armë të tjera të rënda.

Por ky ndryshim qëndrimi ka shkaktuar protestë te një pjesë e intelektualëve në Gjermani. 28 personalitete, shkrimtarë të njohur si Martin Walser dhe Juli Zeh, profesorë me emër si Reinhard dhe Wolfgang Merkel, gazetarë, kabaretistë kërkuan në një letër të hapur drejtuar kancelarit Olaf Scholz që të ndalet “dërgimi i sasive të mëdha të armëve të rënda” Ukrainës.

Kërkesën e tyre nënshkruesit e argumentojnë me frikën se mund të shpërthejë një Luftë e Tretë Botërore. Ata argumentojnë se dërgimi i armëve të rënda mund t’i shërbejë si pretekst Putinit, për të tërhequr vendet e NATO-s në një luftë. Nënshkruesit çmojnë qëndrimin e deritashëm të kujdesshëm të qeverisë gjermane. Ata e dënojnë “agresionin rus si thyerje të normës bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Me tej nënshkruesit i kërkojnë qeverisë gjermane “të kontribuojë me gjithçka, që të arrihet sa më shpejt e mundur një armëpushim.” Letra u botua në 29 prill në revistën Emma, të gazetares dhe feministes së njohur Alice Schwarzer.

Debat i ashpër publik për letrën e hapur

Që nga publikimi i letrës ka nisur një debat i fortë, veçanërisht në mediat sociale. Ltrën e hapur, të postuar në internet si peticion në platformën globale change.org, e kanë nënshkruar më shumë se 200.000 vetë.

Por nga ana tjetër, për shumë kritikë letra është shuplakë në fytyrën e popullit ukrainas. Pasi, sipas tyre, mohon realitetin e situatës. Kritikët i akuzojnë nënshkruesit se “kanë humbur çdo busull morale”. Muzikanti i njohur Wolfgang Müller foli së fundi për “përmbysje të pastër të raportit autor/viktimë”. Jo vetëm kaq: të mërkurën (04.05.), në gazetën Die Zeit u botua një letër e dytë e hapur: me drejtim të kundërt.

Në këtë letër, të iniciuar nga ish-politikani i të Gjelbërve Ralf Fücks, 57 intelektualë i bëjnë thirrje kancelarit Olaf Scholz “të zbatojë shpejt rezolutën e Bundestagut për dërgesat e armëve në Ukrainë”. Figura të shquara gjermane nga media, bota akademike dhe politika, midis tyre nobelistja e letërsisë Herta Müller dhe shkrimtarja Eva Menasse, pianisti Igor Levit dhe politikania liberale Sabine Leutheusser-Schnarrenberger, Presidenti i Qendrës Pen Gjermani Denis Yücel, botuesi Mathias Döpfner shkruajnë në letër se “kushdo që dëshiron një paqe të negociuar, që shkon përtej nënshtrimit të Ukrainës, ndaj kërkesave të Rusisë, duhet të forcojë aftësinë mbrojtëse (të Ukrainës). Dhe të dobësojë aftësinë luftarake të Rusisë sa më shumë që të jetë e mundur”.

Debati jo përgjatë vijave të frontit i majtë/i djathtë

Në valën e refugjatëve të 2015-ës, debati u zhvillua pak a shumë përgjatë fronteve i majtë/ i djathtë. Por që me pandeminë, frontet janë përzierë. Ato kalojnë mes mbrojtësve të dëshirës për liri, që e shohin me skepticizëm shtetin nga njëra anë dhe të rezervuarve, që mendojnë se shteti i mbron më mirë me qëndrim të tërhequr, nga ana tjetër. Tani nënshkruajnë së bashku në të njëjtën anë konservatorë, liberalë, ekologjistë radikalë, ekologjistë liberalë. Ata i sheh në një anë si te mbështetësit, ashtu edhe te kundërshtuesit e dërgimit të armëve të rënda Ukrainës.

Tronditjen e skemave të tradicionale mik-armik në diskursin publik në Gjermani disa vëzhgues i shohin në mënyrë pozitive. Kthesa epokale, që ndodhi me aktin e papërfytyrueshëm në Gjermani, me sulmin e Rusisë kundër Ukrainës, ofron mundësi për t’u larguar nga debati i konsumuar tradicional i majtë/i djathtë. Kjo kthesë krijon kushtet për një riorientim intelektual në Gjermani.

Mbështetja në opinion për armët e rënda për Ukrainën

Javët e fundit në opinionin publik gjerman duket se është rritur mbështetja për dërgimin e armëve Ukrainës. Në një sondazh të Forschungsgruppe Wahlen të publikuar nga ZDF, kjo mbështetje ka arritur në 56 përqind, nga 31 përqind që ishte në mars. Sondazhe të tjera japin një tablo më të balancuar. Sipas një sondazhi të kryer nga instituti Infratest Dimap për ARD-DeutschlandTrend, 45% janë për dhe po aq janë kundër që Gjermania të furnizojë Ukrainën me armë të rënda.

Politika në Gjermani ka tani qëndrim të përcaktuar për ta mbështetur me armë të rënda Ukrainën dhe punon për orientimin e opinionit.

Ministri i Ekonomisë dhe Klimës të Gjermanisë, zëvendëskancelari Robert Habeck (Të Gjelbrit) e quajti në një intervistë “pacifizëm vulgar” qëndrimin e Alice Schwarzer dhe të të tjerëve. “Çfarë rezulton nga ky argumentim?”, pyeti Habeck. ” Në fakt, vetëm se pak pushtim i territorit, përdhunim dhe ekzekutim thjesht duhet të pranohen dhe se Ukraina duhet të kapitullojë shpejt. Nuk mendoj se është e drejtë.”

Ndërsa kancelari Olaf Scholz tha se pacifizmi radikal është “jashtë kohe”, është vjetëruar. Në një miting të sindikalistëve në Dyseldorf në 1 maj, Scholzin më parë e patën quajtur luftënxitës. Por ai u tha pjesëmarrësve të mitingut se “ne nuk do të lejojmë që kufijtë të zhvendosen me forcë dhe të pushtohen territoret”. Ky është imperializëm, tha ai. Kancelari gjerman tha se do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën “duke përfshirë ndihmën që ajo të mbrohet, duke e furnizuar me armë”.

Top Channel