Kryeministri hungarez Viktor Orban, deri tani aleat i presidentit rus Vladimir Putin, ka akuzuar sot Bashkimin Evrpian se ka lëshuar një “bombë atomike” ndaj ekonomisë së Hungarisë duke u përpjekur të ndalojë importet e naftës ruse për arsye të agresionit ndaj Ukrainës.
Duke ndjekur hapat e SHBA, BE ka propozuar ndalimin e eksporteve të naftës nga Rusia, në raundin më të fundit të sanksioneve kundër luftës në Ukrainë.
Shumica e vendeve do të tentojnë të ndalojnë importet ruse brenda gjashtë muajsh por disa vende anëtare përfshi dhe Hungarinë janë të shqetësuara për anën ekonomike të ndërprerjes së importeve, ndaj të cilave Evropa ka qenë gjithmonë e varur, shkruan rrjeti Newsweek.
Duke folur në një intervistë me ‘Kossuth Radio’ mëngjesin e sotëm, Orban tha: “Kjo është si një bombë atomike që duan të hedhin mbi ekonominë hungareze. Nëse zbatohet, çmimi i naftës e benzinës do të rritet shumë”.
Lideri i djathtë i Hungarisë tha se do të duhen vite për të transformuar sektorin energjitik hungarez për të mos qenë i varur nga Rusia.
Ai shtoi se Hungaria nuk mbështet sanksionet e ardhshme ndaj Rusisë dhe vendi i tij ka të drejtën e përdorimit të vetos për të ndaluar propozimet e bllokut.
“Ata e kanë kaluar këtë linjë të kuqe. Edhe nëse qymyri nuk ka këto pasoja ndaj Hungarisë, sanksionet vijojnë njëra pas tjetrës”, tha mes të tjerash Orban, duke shtuar se nuk mbështeet as sanksionet ndaj liderëve të kishës ruse.
Top Channel