Hungaria sfidon BE-në, Orban nuk mbështet sanksionet e bllokut kundër Rusisë!

06/05/2022 12:03

Viktor Orban, e sfidon edhe një herë Bashkimin Europian.

Kryeministri hungarez tha se vendi i tij nuk do ta mbeshtesë paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë në formën në të cilën ajo është prezantuar, duke përfshirë edhe embargon ndaj importeve të naftës së papërpunuar ruse.

Në një intervistë për radion shtetërore hungareze, Orban tha se propozimi i Komisionit Evropian do të përbënte një “bombë bërthamore” të lëshuar mbi ekonominë hungareze, duke shtuar se Budapesti është i gatshëm për negociata nëse sheh një propozim të ri, që do t’i përshtatej interesave të Budapestit. Disa ditë më parë,  presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, prezantoi paketën e re dërrmuese të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Sipas këtij propozimi kjo embargo do të hyjë në fuqi brenda 6 apo 8 muajsh. Kjo do të thotë se sipërmarrjet e BE nuk do duhet në të ardhmen që të importojnë më naftën ruse. Por për t’u dhënë vendeve kohë për t’u përgatitur, do të ketë afate kalimi.

Konkretisht parashikohet që pas 6 muajsh do të hyjë në fuqi ndalimi i importeve për naftën e papërpunuar dhe pas një faze prej 8 muajsh edhe ndalimi i produkteve të naftës. Në këtë kontekst do të luajë rol nëse furnizimet vijnë me gazsjellës apo me anije. Por që paketa e gjashtë e sanksioneve të bllokut evropian, të hyjë në fuqi, kërkon miratimin unanim të 27 shteteve të BE-së.

 

 

 

 

Top Channel