“Do të marr masa hakmarrëse”, Rusia paralajmëron Britaninë e Madhe për sanksionet e vendosura

06/05/2022 22:12

Rusia ka paralajmëruar ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar për pasojat e vendosjes së sanksioneve, të cilat mund të çojnë në shkatërrimin përfundimtar të marrëdhënies dypalëshe.

Ambasadorja e Britanisë në Moskë, Deborah Bronnert u thirr në Ministrinë e Jashtme ruse këtë të premte lidhur me sanksionet e fundit kundër Rusisë, duke përfshirë sanksionet kundër Kompanisë Shtetërore të Televizionit dhe Radios Ruse.

“Ambasadorit iu tha papranueshmëria e veprimeve të tilla shkatërruese, vazhdimi i të cilave do të çojë në mënyrë të pashmangshme në shkatërrimin përfundimtar të lidhjeve dypalëshe dhe dëmtimin e marrëdhënieve midis popujve të Rusisë dhe Mbretërisë së Bashkuar”, sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme ruse.

CNN raporton se në deklaratë thuhej se vendosja e sanksioneve ndaj mediave ruse vetëm për shkak se mbulimi dhe interpretimi i tyre i ngjarjeve që ndodhin në botë nuk është në përputhje me modelet perëndimore, konfirmon edhe një herë qartë dyfishimin dhe cinizmin e politikanëve britanikë, për të cilët një gjë e tillë si liria e media nuk është gjë tjetër veçse një mjet për zgjidhjen e problemeve të tregut.

Ministria akuzoi Mbretërinë e Bashkuar dhe zyrtarët e saj për vendosjen e sanksioneve dhe dhënien e deklaratave me “kërcënime” që janë “të ndërthurura me gënjeshtra dhe vrazhdësi të plotë” kundër Rusisë.

“Pala ruse do të vazhdojë të përgjigjet ashpër dhe me vendosmëri ndaj të gjitha sanksioneve të iniciuara nga Londra dhe të marrë masa hakmarrëse”, thuhet në deklaratë.

Top Channel