Deklarata unanime e Këshillit të Sigurimit të OKB: Zgjidhje ‘paqësore’ në Ukrainë

06/05/2022 22:46

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri të premten deklaratën e tij të parë për Ukrainën që nga pushtimi i Rusisë në shkurt, duke mbështetur përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm për të gjetur një “zgjidhje paqësore” për luftën.

Deklarata, e hartuar nga Norvegjia dhe Meksika dhe e parë nga AFP, nuk mbështeti një përpjekje ndërmjetësimi nga Antonio Guterres, siç u parashtrua në një version të mëparshëm të tekstit.

“Këshilli i Sigurimit shpreh shqetësim të thellë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ukrainë”, thuhej në tekstin e miratuar të premten.

Juan Ramon de la Fuente, ambasadori i Meksikës në OKB tha për mediat:

“Miratimi i deklaratës tregon se Këshilli i Sigurimit është i bashkuar në mbështetjen e Kombeve të Bashkuara dhe Sekretarit të Përgjithshëm të tij në gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike. Të dyja vendet tona vazhdojnë të bëjnë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive. Meqë kjo deklaratë u miratua, tregon të paktën një vullnet për të ecur në atë drejtim. Siç kemi thënë, ky është një hap i parë shumë fillestar. Dhe po, jam plotësisht dakord me ju – na u deshën më shumë se dy muaj. Por ka gjithmonë një ditë ku duhet të fillojmë, dhe shpresoj se kjo ka qenë ajo ditë”.

Këshilli 15 anëtarësh gjithashtu “kujton se të gjitha Shtetet Anëtare kanë marrë përsipër, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, detyrimin për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre ndërkombëtare me mjete paqësore”.

Teksti përfundon duke i kërkuar Guterres që të paraqesë një raport në këshill pas miratimit të deklaratës.

Deklarata është shfaqja e parë e unitetit nga Këshilli i Sigurimit që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Top Channel