Gjatë natës është zhvilluar operacioni i tretë i OKB-së për evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol.

“Një autokolonë u nis drejt kompleksit me shpresën të presë ata civilë që janë bllokuar në atë ferr të zymtë, dhe ti dërgojë ata në një vend të sigurtë”, tha kreu i shërbimeve humanitare të OKB-së, Martin Griffiths. Edhe sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres e përshkroi zonën e luftës të Mariupolit si një “pejsazh nga ferri”.

OKB-ja dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq kanë ndihmuar deri më tani rreth 500 civilë të largohen nga zona e fabrikës së çelikut në qytetin port jugor gjatë dy operacioneve javën e kaluar. Ka ende njerëz në Azovstal që duhen larguar prej andej, ka gra e fëmijë, tha Zelensky në një lidhje video për eventin e bamirësisë, “Brave Ukraine”, ku bëri dhe një bilanc të raketave të lëshuara nga Rusia që prej fillimit të agresionit. 

“Që nga fillimi i pushtimit, trupat ruse kanë lëshuar më shumë se 2.000 raketa në Ukrainë dhe avionët e tyre luftarakë kanë fluturuar 2.700 në qiellin tonë. Cdo dalje e tyre është vdekje për popullin ukrainas dhe shkatërrim për infrastrukturën tonë.”

Inteligjenca amerikane ndihmoi Ukrainën të lokalizonte kryqëzorin rus, Moskva, i cili u fundos në 14 prill pasi u godit nga dy raketa. Burime të informuara raportojnë për CNN se pasi dalloi një luftanije ruse në Detin e Zi, Kievi kontaktoi amerikanët për të konfirmuar nëse ishte Moskva.

Shtetet e Bashkuara pohuan se bëhej fjalë pikërisht për krenarinë e flotës ruse, e dhanë informacione për vendndodhjen e saj. Është e paqartë nëse SHBA e dinte nëse Ukraina do të sulmonte dhe nuk ka qenë e përfshirë në vendim, theksojnë burimet. Ditët e fundit, Neë York Times zbuloi se inteligjenca amerikane po ndihmon ushtrinë ukrainase për të eliminuar gjeneralët rusë.

Shtëpia e Bardhë reagoi megjithatë duke thënë se “ne po japim informacion në terren për të ndihmuar ukrainasit të mbrojnë vendin e tyre. Por nuk ndajmë të dhënat të kundërzbulimit me qëllimin të vriten krerët ushtarakë rusë. 12 oficerë të lartë të Moskës kanë humbur jetën që nga 24 shkurti, asnjëherë kaq shumë që nga beteja e Stalingradit.

 

Top Channel