Zbardhet e shkuara e Ilvi Metës/ Që 18 vjeç u dënua me 4 muaj burg pasi vodhi shtëpinë e hallës së tij

05/05/2022 12:20
I vdekuri Ilvi Meta

Teksa hijet e dyshimit mbi vdekjen e 31-vjeçarit nga Kavaja nuk janë fashitur ende, TCH mëson se ai qe dënuar për herë të parë me 4 muaj burg për vjedhjen e shtëpisë së hallës.

Ka qenë gjykata e Durrësit që për herë të parë e pati dënuar me burg të riun nga Kavaja, i cili humbi jetën në rrethana të dyshimta brenda komisariatit të policisë së Kavajës. Ishte vjeshta e vitit 2010, kur Ilvi Meta doli para gjykatës për vjedhjen e mallrave në vlerën e 60 mijë lekëve.

Ilvi Meta është skeduar nga policia që në mars të vitit 2009, kur pas një denoncimi për vjedhjen e një apartamenti në Kavajë, hetimeve dhe një akti daktiloskopik ku rezultonte gjurma e gishtit të tij, rezultoi se kishte vjedhur shtëpinë e hallës së vet. Ajo jetonte në Itali me familjen, ndaj duke e ditur se nuk kishte njeri në banesë, Meta, atëherë ende pa i mbushur 18 vjeç, futet në banesë duke thyer xhamin e njërës prej dritareve dhe vjedh një televizor plazëm dhe një magnetofon ”Sony”.

Nga ekspertët këto dy objekte u vlerësuan me 60 mijë lekë. Në atë kohë prokuroria  kërkoi pezullimin e dënimit me burgim dhe vendosjen e tij në një periudhë prove për dy vjet, por gjykata e Durrësit teksa e shpalli fajtor çmoi si rrethanë rënduese faktin se mes Ilvi Metës dhe burrit të hallës së tij marrëdhëniet nuk ishin normalizuar aspak, ndaj ai duhej të dënohej me burg.

Më 7 shtator të vitit 2010, gjykata në zbatim të uljes së dënimit me 1/3 e dënoi përfundimisht me 4 muaj burgim. Ndërkohë gjurmët e gishtave të tij u skeduan duke e futur atë në listën e personave me precedentë penalë për vjedhje. Ndaj pas çdo vjedhjeje në zonën e Kavajës, ai përfshihej në grupin e autorëve të dyshuar nga policia.

Top Channel