Vdekja e Ilvi Metës në Komisariat/ Hetimet paraprake: U vetëvra me lidhësen e kapuçit, nuk ka shenja dhune

05/05/2022 10:46

Hetimet paraprake për vdekjen e 31-vjeçarit Ilvi Meta në Komisariatin e Kavajës kanë përfunduar, ku është konkluduar se Meta është vetëvrarë me lidhësen e kapuçit të bluzës që kishte veshur dhe nuk ka shenja dhune në trup.

Nga hetimet paraprake ka rezultuar se punonjësit që kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen dhe mbajtjen nën kontroll në Ilvi Metës, gjatë kohës që ai ka qenë i shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nuk kanë përmbushur detyrimet duke shpërdoruar detyrën dhe si pasojë janë arrestuar tre punonjës policie.

Të arrestuar janë: Bexhet Berberi me detyrë trupë shërbimi, patrullë e përgjithshme, Rushit Kola me detyrë trupë shërbimi në dhomat e sigurisë dhe Petrit Brahimaj me detyrë Specialist i sallës së komandimit.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë së Kavajës për hetime të mëtejshme.

Top Channel