Tre punonjës policie bëhet e ditur se janë arrestuar për ngjarjen e rëndë të  Kavajës ku mbeti i vdekur një 31-vjeçar i arrestuar.

Ngjarja ndodhi të mërkurën, ku në ambientet e komisariatit u gjet i vetëvarur 31-vjeçari Ilvi Meta, disa orë pas arrestimit. Paraprakisht deklarohet se janë arrestuar për shpërdorim detyre dhe mosrespektim të procedurave të sigurisë së personave të ndaluar e arrestuar efektivët e policisë Bexhet Berberi, Rushit Kola dhe Petrit Brahimaj.

Sipas burimeve policore, dy prej këtyre shtetasve  kanë qenë në shërbim ditën e djeshme tek dhoma e ndalimit, ndërsa i treti ka qenë oficeri i shërbimit në turn pranë komisariatit të policisë, ku i riu kreu vetëvarjen.  31-vjeçari Ilvi Meta ishte arrestuar pasdrekën e ditës së djeshme me vendim të gjykatës së Kavajës si person i dyshuar për vjedhje.

Ai njihej nga policia lokale si person me precedentë penalë në fushën e krimeve kundër pronës,  vjedhje. Një grup i posaçëm hetimor është ngritur nga AMP dhe nën drejtimin e prokurorisë së Kavajës po vijon me intensitet hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa paraprakisht,

Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije, se dyshohet që viktima ta ketë ndërmarrë aktin duke qenë nën presion për të pranuar edhe vjedhje të tjera të ndodhura në zonë.

Shkaqet e vdekjes mbeten ende mister dhe pritet që ekspertiza mjeko-ligjore t’i saktësojë ato duke ndihmuar më tej hetimet dhe përgjegjësinë mbi vdekjen e dyshimtë brenda ambienteve të policisë.

Top Channel