Ditën kur i akuzuari që mbronte avokati Fahri Danaj u dënua me 12 vjet burgim, pasi mashtroi një mik duke i kërkuar borxh për t’i investuar, juristi i njohur e këshilloi që të kthente paratë e marra në mirëbesim.

Por së fundmi në gjykatë nuk po përfundojnë vetëm borxhlinjtë, por edhe borxhdhënësit pasi të dyja palët po i zgjidhin përplasjet me kërcënime private apo me pengmarrje.

Rasti më i fundit ishte ai i heqjes së paligjshme të lirisë së Ermal Sorrës pasi mori 20 mijë euro borxh dhe nuk i ktheu, e për këtë borxhdhënësit e mbajtën peng.

“Ata marrin borxh duke thënë se jam sëmurë, kam një vdekje apo për investim”, thotë avokati Fahri Danaj.

Edhe pse policia i konsideron disa konflikte për motive të dobëta, zyrtarisht thuhet se pesë përqind e konflikteve ndodhin për borxhet.

Sipas burimeve të sigurta në prokurori, çështja më e fundit që po hetohet nga prokuroria është ajo e rrëmbimit të Gynter Jaupit që për disa orë u mor me automjet nga dy të rinj derisa ai gjeti mundësinë dhe ju shpëtoi nga duart.

Shkak i heqjes së lirisë ishte borxhi prej  16 mijë e 500 dollarë që kishte marrë i vëllai për t’i investuar në kriptomonedhë dhe që nuk i ktheu më.

Në dosjen që Top Channel disponon thuhet se konflikti u përshkallëzua jo vetëm për shkak të mos kthimit të borxhit, por edhe refuzimit të të riut për të shkuar te noteri.

I riu Jaupi rrëfen se zbriti nga automjeti mbasi nuk pranoi të shkojë te noteri aty ku duhej të njihej borxhi .

“Shkohet tek noteri sepse ligjvënësi ka shtuar noterin dhe kur borxhliu nuk e shlyen atëherë deklarata tek noteri është titull ekzekutiv dhe ndërhyn përmbarimi”, tha Fahri Danaj.

Rasti më i rëndë i një konflikti për borxhet është ai i vrasjes së Haxhi Bacinozit në Tiranë , që u qëllua për vdekje nga borxhliu, që më pas u vetëdorëzua dhe u dënua me  30 vite burgim.

Top Channel