Dy ekstradimet e para janë realizuar mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, pas marrëveshjes së realizuar mes dy vende.

Në më pak se dy muaj pas hyrjes në fuqi, sot, më dt. 05.05.2022, Prokuroria e Përgjithshme u njoftua për arrestimin e dy shtetasve shqiptarë përkatësisht në Kukës dhe Vlorë.

Shtetasit ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Madridi përkatësisht në vitin 2020 dhe vitin 2021 për veprat penale “trafik lëndësh narkotike” dhe “Organizatë kriminale”, “Falsifikim dokumentacioni”, “Shkelje e ligjit për drogat”.

Më 16 mars të vitit 2022, hyri në fuqi Marrëveshja e Ekstradimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës.

Prokuroria e Përgjithshme, mbështetur në Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, (si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin të 13 Dhjetorit 1957, ratifikuar me Ligjin nr. 17/2022, (hyrë në fuqi më datë 16.03.2022), si dhe nenet 493 e vijues të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë, inicioi kryerjen e veprimeve proceduriale përkatëse lidhur me ekstradimin e dy shtetasve duke ia përcjellë dokumentacionin prokurorive kompetente.

Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje dypalëshe ekstradimi me Republikën e Italisë, Mbretërinë e Bashkuar, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Republikën e Kosovës dhe së fundmi edhe me Mbretërinë e Spanjës.

Top Channel