Gjermania: 130 milionë dollarë më shumë ndihmë humanitare për Ukrainën

05/05/2022 21:56

Kancelari gjerman, Olaf Scholz në një video-mesazh gjatë një konference donatorësh në Varshavë tha se Gjermania do të mbështesë Ukrainën me 130 milionë dollarë të tjera ndihmë humanitare.

Paratë “do të ndihmojnë në forcimin e rezistencës ukrainase ndaj sulmeve ruse”. Ai u shpreh se ai synon t’i sigurojë Ukrainës 147 milionë dollarë të tjera për financimin e zhvillimit.

“Me çdo ditë që kalon që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, me çdo mizori të kryer nga ushtarët rusë, vendosmëria dhe uniteti ynë vetëm sa forcohen. Ne jemi të vendosur fort: Putini nuk duhet ta fitojë këtë luftë. Dhe ai nuk do ta fitojë atë“, tha Scholz, sipas CNN.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili gjithashtu mori pjesë në konferencë, bëri thirrje për një “version modern” të Planit Marshall për rindërtim. Zelensky u shpreh se për t’u kthyer në një jetë të sigurt, vendi i tij do të kërkonte para, teknologji, specialistë dhe perspektiva për rritje.

“Ky do të jetë një investim në stabilitetin e të gjithë Evropës Qendrore dhe Lindore”, tha Zelensky, sipas deklaratës për shtyp të qeverisë gjermane.

Në një deklaratë për shtyp të lëshuar nga qeveria gjermane, Scholz tha në fillim të prillit se Gjermania premtoi 425 milionë euro për ndihmë humanitare dhe bashkëpunim, si dhe 70 milionë euro për furnizime mjekësore përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së. Për më tepër, Gjermania kishte dhënë edhe 430 milionë euro të tjera për pasojat katastrofike që po sjell lufta ruse në sigurinë globale të ushqimit.

 

 

Top Channel